Mijëra profile false pro-ish presidentit Trump po sulmojnë kandidatët DeSantis, Haley

by admin
Spread the love

Gjatë 11 muajve të fundit, dikush krijoi mijëra, ndoshta edhe qindra mijëra profile të rreme, të automatizuara në rrjetin social Twitter për të publikuar lavdërime pa fund për ish presidentin, Donald Trump.

Përveç publikimit të vlerësimeve pozitive për ish-presidentin, profilet e rreme talleshin me kritikët e zotit Trump nga të dyja palët dhe sulmuan Nikki Haleyn, ish-guvernatoren e Karolinës së Jugut dhe ish ambasadore amerikane në OKB, e cila po sfidon ish shefin e saj për nominimin presidencial republikan në zgjedhjet e vitit 2024.

Kur bëhet fjalë për zotin Ron DeSantis, profilet e rreme thonë se ai nuk do mund ta mposhtë zotin Trump, por se do ishte një kandidat i shkëlqyer për nënpresident.

Ndërsa votuesit republikanë analizojnë kandidatët e tyre për vitin 2024, kushdo që krijoi rrjetin e profileve false po kërkon të ndikojë tek proçesi duke përdorur teknika manipulimi në internet që më parë janë përdorur nga pionierët e Kremlinit, për të ndikuar në internet rreth kandidatëve duke shfrytëzuar algoritmet e Twitter-it për të rritur shtrirjen e tyre.

Rrjeti i përhapur i profileve false u zbulua nga hulumtues të Cyabras, një firmë teknologjike izraelite që ndau gjetjet e saj me agjencinë e lajmeve, Associated Press. Ndërsa identiteti i atyre që qëndrojnë pas rrjetit të llogarive të rreme është i panjohur, analistët e Cyabras përcaktuan se ai ka të ngjarë të ishte krijuar brenda Shteteve të Bashkuara.

Për të identifikuar një profil robotik, studiuesit do të hulumtojnë profilin e një llogarie, listën e ndjekësve të saj dhe përmbajtjen që publikon. Profilet origjinale të njerëzve zakonisht publikojnë rreth një sërë temash, me një përzierje të materialit origjinal dhe materialeve të të tjerëve që e ripublikojnë në profilin e tyre, por profilet robotike shpesh postojnë përmbajtje të përsëritura për të njëjtat tema.

“Një nga llogaritë do të shkruajë, presidenti ‘Biden po përpiqet të na marrë armët’; tjetra më pas shkruan: presidenti ‘Trump ishte më i miri”, dhe një tjetër do të thotë: Sulmi i “6 janarit (në Kapitol) ishte një gënjeshtër dhe zoti Trump ishte i pafajshëm”, tha Jules Gross, inxhiniere tek Cyabra që zbuloi e para rrjetin. “Këta zëra nuk janë të njerëzve. Për hir të demokracisë dua që njerëzit të dinë se kjo po ndodh.”

Profilet robotike apo siç quhen zakonisht ‘Bots’, janë llogari të rreme, të automatizuara që u bënë shumë të njohura pasi Rusia i përdori ato në përpjekje për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane të vitit 2016. Ndërsa kompanitë e mëdha të teknologjisë e kanë përmirësuar zbulimin e llogarive të rreme, rrjeti i identifikuar nga Cyabra tregon se ato mbeten një forcë e fuqishme në formësimin e diskutimeve politike në internet.

Rrjeti i ri pro-Trump është në fakt i përbërë nga tre rrjete të ndryshme llogarish në Twitter, të gjitha të krijuara në grupe të mëdha në muajt prill, tetor dhe nëntor të vitit 2022. Në përgjithësi, studiuesit besojnë se qindra mijëra llogari mund të jenë të përfshira.

Të gjitha llogaritë kanë fotografi personale të mbajtësit të supozuar të profilit, si dhe një emër. Disa nga llogaritë publikojnë përmbajtjen e tyre, shpesh si reagim ndaj publikimeve të përdoruesve të vërtetë, ndërsa të tjerat ripublikojnë përmbajtje nga përdoruesit e vërtetë, duke ndihmuar në përforcimin e mëtejshëm të pretendimeve.

“McConnell… Tradhtar!” thuhet në një nga publikimet, si reagim ndaj një artikulli në një botim konservator në lidhje me udhëheqësin e republikanëve në Senat, Mitch McConnell, një nga disa kritikët e zotit Trump që vihet në shënjestër nga rrjeti.

Një mënyrë për të vlerësuar ndikimin e profileve robotike është matja e përqindjes së publikimeve për çdo temë të caktuar të krijuar nga llogaritë që duken të rreme. Përqindja për debatet tipike në internet është shpesh në një shifër të ulët. Vetë Twitter-i ka thënë se më pak se 5% e përdoruesve të tij aktivë të përditshëm janë llogari të rreme.

Kur studiuesit e Cyabras shqyrtuan postimet negative rreth kritikëve të veçantë të zotit Trump, megjithatë, ata gjetën nivele shumë më të larta të mungesës së autenticitetit. Pothuajse tre të katërtat e postimeve negative për ambasadoren Haley, për shembull, u gjurmuan se vinin nga llogari të rreme.

Rrjeti gjithashtu ndihmoi për të popullarizuar thirrjet që Guvernatori DeSantis t’i bashkohet ish-Presidentit Trump si kandidat për nënpresident – një rezultat që do t’i shërbente mirë ish-presidentit dhe do t’i jepte atij mundësinë për të shmangur një përballje ndoshta të ashpër me zotin DeSantis, nëse ky i fundit hyn në garë.

I njëjti rrjet llogarish shpërndau përmbajtje përgjithësisht pozitive për ish-Presidentin Trump dhe kontribuoi për një pamje në tërësi false të mbështetjes ndaj tij në internet, konstatuan studiuesit.

“Botëkuptimi ynë se cila është ndjesia kryesore republikane për 2024-ën po manipulohet nga mbizotërimi i llogarive të automatizuara në internet”, konkluduan studiuesit e kompanisë Cyabra.

Rrjeti i trefishtë u zbulua pasi inxhinierja Gross analizoi mesazhe në Twitter për personalitete të ndryshme të skenës politike në rang kombëtar dhe vuri re se shumë prej llogarive që publikonin këtë përmbajtje ishin të krijuara në të njëjtën ditë. Pjesa më e madhe e llogarive vazhdojnë të jenë aktive, megjithëse kanë një numër relativisht modest ndjekësish.

Një mesazhi të lënë për zëdhënësin e fushatës elektorale të zotit Trump nuk iu dha menjëherë përgjigje.

Shumica e llogarive të automatizuara nuk janë të projektuara për të bindur njerëzit, por për të shumëfishuar përmbajtje të caktuar në mënyrë që ta shohin sa më shumë njerëz, thotë Samuel Woolley, profesor dhe studiues për keqinformimin në Universitetin e Teksasit, i cili ka publikuar rishtazi një libër të përqëndruar tek propaganda përmes programeve të automatizuara kompjuterike.

Kur njerëzit shikojnë një hashtag apo përmbajtje nga një llogari e automatizuar dhe e rishpërndajnë atë, atëherë ata e ndihmojnë këtë rrjet, dhe gjithashtu i sinjalizojnë algoritmit të rrjetit Twitter që ta shpërndajë këtë përmbajtje edhe më gjerë.

Llogaritë e automatizuara mund të kenë gjithashtu sukses në bindjen e njerëzve se një kandidat i caktuar, apo një ide, është më shumë popullor apo më pak popullor nga ç’është në të vërtetë, thotë profesor Woolley. Për shembull, nëse ka më shumë llogari të automatizuara pro-Trump, atëherë njerëzve mund t’u krijohet përshtypja për një popullaritet të ekzagjeruar të tij.

“Llogaritë automatike absolutisht që ndikojnë tek rrjedha e informacionit”, tha profesor Wolley. “Ato prodhohen për të krijuar iluzionin e popullaritetit. Përsëritja është arma kryesore e propagandës dhe llogaritë e automatizuara janë shumë të mira për të përsëritur. Janë shumë efikase për t’ua nxjerrë njerëzve informacionin përpara syve”.

Deri rishtazi, shumë prej këtyre llogarive të automatizuara identifikoheshin me lehtësi, për shkak të shkrimit të pakujdesshëm, apo pasi kishin emra llogarish që përmbanin fjalë të pakuptimta, ose numra të shumtë të rastësishëm. Duke qenë se platformat e mediave sociale përmirësuan kapacitetet e tyre për t’i pikasur këto llogari, atëherë ato u bënë më të sofistikuara.

Të ashtuquajturat llogaritë cyborg (program kibernetik) janë një shembull i tillë. Ato janë llogari të automatizuara, kontrolli i të cilave herë pas here merret në dorë nga një njeri që mund të publikojë përmbajtje origjinale dhe t’u përgjigjet përdoruesve me stil njerëzor, duke e bërë kështu shumë më të vështirë pikasjen e tyre.

Së shpejti, programet e automatizuara mund të bëhen edhe më të rafinuara, falë përparimeve në inteligjencën artificiale. Programet e reja të inteligjencës artificiale mund të krijojnë foto profili që i ngjasojnë realitetit, si dhe postime që tingëllojnë pak a shumë autentike. Programe të automatizuara që tingëllojnë si njeriu dhe që nxjerrin video të falsifikuara me një teknologji të lartë, mund t’i sfidojnë platformat dhe përdoruesit në mënyra të reja, thotë Katie Harbath, studiuese në Qendrën për Politikat Dypartiake dhe ish-drejtuese në kompaninë Facebook për politikat publike.

“Platformat janë përmirësuar shumë në luftimin e programeve robotike që nga viti 2016”, thotë zonja Harbath. “Por, llojet që kemi filluar të shohim tani, me inteligjencën artificiale, ato mund të krijojnë persona falsë. Video false”.

Këto përparime teknologjike duket se sigurojnë më tej të ardhmen e programeve të automatizuara në politikën amerikane, si ushtarë dixhitalë në fushatat në internet, dhe si një problem i mundshëm për votuesit dhe për kandidatët që përpiqen të mbrohen nga sulmet anonime në internet.

“Nuk ka patur ndonjëherë më shumë zhurmë në internet”, thotë Tyler Brown, konsulent politik dhe ish-drejtor digjital për Komitetin Kombëtar Republikan. “Sa prej kësaj është keqdashëse apo madje jofaktike pa dashje? Është e lehtë të imagjinohet se si njerëzit mund ta manipulojnë këtë”./ VOA


Top Channel

You may also like