Meta akuza Lindita Nikollës: Pula e kuvendit, njeri pa dinjitet, me mesatare 5

by admin
Spread the love

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka shpërthyer në akuza të forta kundër Lindita Nikollës, kryetares së parlamentit që sot ka zhvilluar disa takime në lidhje me kërkesën e Autoritetit të Dosjeve për të ndryshuar ligjin.

Meta e quajti Nikollën “pulë” dhe “njeri pa dinjitet”, duke e akuzuar se është përdorur për “nevojat personale” të Edi Ramës.

“Është ajo pula e kuvendit aty, se ajo ashtu është. Pa dinjitet, se unë e kam respektuar, turp i madh, une e kam respektuar gjithmonë po ca do presësh me mesatare 5 pikë ca. Po e mbani mend si e këputën studentët?” tha Meta gjatë konferencës.

Po sot, kryetarja e Kuvendit doli me një deklaratë ku falenderoi Autoritetin e Dosjeve për denoncimin, duke thënë se për rastin në fjalë kishte vënë në dijeni kryetarët e komisioneve të sigurisë dhe ligjeve.

“Dje Autoriteti për Informim mbi Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit ka informuar publikun për rastin e një politikani me profil të lartë, me inicialet I.M, i cili ka rezultuar i përfshirë në aktivitetin e Sigurimit të Shtetit.

Autoriteti i Dosjeve ka nisur gjithashtu një letër në drejtimin tim, ku më ve në dijeni të identitetit të këtij politikani me profil të lartë dhe kërkon nga Kuvendi ndërhyrje të menjëhershme për adresimin e një pengese ligjore, që nuk ia mundëson Autoritetit veprimet e domosdoshme për rastin.

Rasti është tronditës dhe Kuvendi duhet të reagojë patjetër. Prandaj kam thirrur sot kryetarët e grupeve dhe kryetarët e komisionit të sigurisë dhe të komisionit të ligjeve, të cilët i kam informuar mbi letrën e Autoritetit, identitetin e politikanit me inicialet I.M, si edhe gatishmërinë time për ta mbledhur Kuvendin në çdo kohë që forcat politike do të kenë nevojë.

Dua ta falenderoj Autoritetin e Dosjeve për reagimin e drejtë, të pavarur dhe profesional, si edhe për kurajon në adresimin e këtij rasti, i cili ngre pyetje të rëndësishme për shoqërinë tonë dhe për forcat politike. Në respekt të ligjit dhe ndjeshmërisë së lartë të këtij rasti vërtetë tronditës, nuk mund të flas më shumë në këtë faze” ishte reagimi i Lindita Nikollës.

You may also like