Mesdheut “i vjedhin” koralet, lulëzon kontrabanda, vuan natyra…

by admin
Spread the love

Në Tabarka të Tunizisë, një qytet i vogël ne brigjet e Mesdheut rreth 200 km larg ishullit Italian të Sardenjës, prej shekujsh çdo gjë lidhet me koralet.

Ato kanë pushtuar biznesin lokal, por së fundmi gjithmonë e më shumë tregtarë vendas po heqin dorë prej tyre për shkak se mungon furnizimi, teksa dyqanet mbyllen njëri pas tjetrit.

“Do të vijë mbase një ditë kur këtu të mos ketë më korale. Ato janë duke u zhdukur, sepse nuk u lihet kohë që të zhvillohen”, thonë artizanë vendas, të cilët shpjegojnë se sasia e vogël e koraleve ka bërë tani që njerëzit të mos jenë më në gjendje të blejnë zbulurime të tilla, ndërsa sot një varëse me korale të çmuara kushton me mijëra.

Koralet e çmuara, që njihen ndryshe edhe si koralet e kuqe, janë gjallesa të ngjitura me njëra tjetrën dhe vijnë kryesisht nga Deti i Kuq dhe Mesdheu. Ato janë të ndjeshme ndaj dritës, prandaj jetojnë kryesisht në thellësi qindra metra të detit. Për shkak të rolit të rëndësishëm që luajnë në sistemin ekologjik local, janë pagëzuar edhe si Pemët e Kuqe të Mesdheut.

Që nga periudha e antikitetit, këto korale kanë qenë një lëndë e parë e shumëkërkuar për prodhimin e bizhuterive. Unioni për Mbrojtjen e Natyrës, (IUCN) i ka përfshirë aktualisht në listën e specieve të rrezikuara nga zhdukja, thotë DW. Numri i zhytësve të licencuar që lejohen t’i mbledhin ato, është mjaft i vogël, e për të përmbushur nevojat për furnizim, shumë biznesmenë lokalë i drejtohen tregut të zi që është në lulëzim.

Një studim i fundit, i mbështetur nga BE-ja tregon se çdo vit, nga Mesdheu kontrabandohen korale të çmuara në vlerë miliona euro. Tregjet më të rëndësishëm të bizneseve ilegale janë Italia e Jugut dhe Afrika e Veriut.

“Me koralet puna është si me kokainën,” thonë ekspertë vendas. “Para disa kohësh ne kapëm një italian që transportonte ilegalisht me varkën e tij korale në Itali. Të gjithë e dinë se kjo kontrabandë zhvillohet këtu.” Edhe pse Italia po i kushton më shumë vëmendje kësaj çeshtjeje dhe ka zhvilluar një plan kombëtar për mbrojtjen më të mirë të gjallesave të detit, kriminelët gjejnë gjithnjë rrugë të reja e së fundi ata po mundohen më shumë që t’i kontrabandojnë mallrat nëpërmjet Spanjës dhe Francës.


Top Channel

You may also like