Mehmeti: Barazimi nuk më kënaq aspak, Junior më shqetëson për diçka

by admin
Spread the love

Dritan Mehmeti, trajneri i Partizanit, pas barazimit me Egnatian ka folur dhe analizën e tij të ndeshjes e nisi kështu: “I druhesha gjatë javës aspektit psikologjik dhe sërish skuadra manifestoi të njëjtin problem. Duhet të ishim më agresivë në 20 metrat e fundit të sulmit.

Kemi çaluar në aspektin mbrojtës, për neglizhencë kemi marrë goditje. Në pjesën e dytë kemi reaguar goxha mirë, fituam një 11-metërsh dhe me 10 lojtarë treguam forcë karakteri. Mbaj përgjegjësi për pjesën e parë, skuadra duhet të dijë si të sillet”.

Në lidhje me penalltinë, Mehmeti për Supersport shtoi: “Mala është përgatitur gjithmonë për të goditur. Nuk ishte Kallaku, që është i pari në listë, do të ekzekutonte Mala. Junior është i treti në listë. Nuk është vetëm humbja e penalltisë, kemi situata të tjera që duheshin zgjidhur ndryshe”.

Stenio Junior është një nga shqetësimet e trajnerit të Partizanit. “Më shqetëson fakti që Junior shënon kur vjen nga stoli, është hera e dytë që e bën këtë. Ky është shqetësimi im, mënyra se si duhet ta ndërtoj formacionin gjatë javës. Futbollistët duhet të kenë vazhdimësi.

Për barazimin nuk jam i kënaqur, edhe pse ishim me 9 lojtarë. Duhej ta kërkonim me ngulm fitoren. Nuk duhej ta pësonim golin e dytë, duhet ta mbanim 1-1 kur ishim me 10. Ka shumë vendime nga gjyqtarët, kur për një ndërhyrje të thjeshtë nxirret karton i kuq. Edhe me skuadrat e tjera, siç ishte derbi, duhet të ruhet i njëjti standard. Gjithsesi, problemin duhet ta kërkojmë te vetja”.

“Ndërhyrjet? Mendoj që ndërhyrja e Markut në rastin e dytë nuk është brutale, ndërsa Bitrit ka goditur edhe topin. Gjithsesi është gabim, sepse ecin me atë që kanë bërë përpara. Po, mendoj që kishte lojtarë që nuk duhej të ishin në formacion.

Mora përgjegjësinë për pjesën e parë, doja menaxhim në 1/3-tën e fushës, kërkoja shpejtësi me Carën e Malën, në pjesën e dytë treguam se çfarë dimë të bëjmë më mirë, edhe pse duhej të ishim më të qetë”, ka përfunduar Mehmeti deklaratën e tij. / oversport.tv

You may also like