MEDIA – Facebook bllokon 1 600 llogari të propagandës ruse

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 28 shtator /ATSH-ANSA/ – Mbi 1 600 llogari të rreme në Facebook janë bllokuar nga kompania “Meta” të dyshuara për përhapjen e propagandës ruse në Gjermani, Itali, Francë, Britani të Madhe dhe Ukrainë.

Kompania njoftoi se kishte bllokuar rrjetin më të madh dhe më kompleks i lidhur me Rusinë, i identifikuar ndonjëherë që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës.

“Meta” që zotëron Facebook dhe Instagram tha për “Associated Press” se kishte identifikuar dhe çaktivizuar rrjetin e lajmeve të rreme përpara se të shpërndaheshin te një audiencë e madhe.

Operacioni përfshiu mbi 60 faqe kopjimi të disa prej gazetave më prestigjioze perëndimore, duke përfshirë britaniken “The Guardian” dhe gjermanen “Der Spiegel”.

Studiuesit e “Meta” gjithashtu identifikuan dhe çaktivizuan një rrjet shumë më të vogël lajmesh të rreme nga Kina, dhe u përpoqën të përhapnin informacione me përmbajtje politike në SHBA.

Lajmet e rreme u shfaqën vetëm te një audiencë shumë e kufizuar amerikane, përmes disa postimeve që shiheshin vetëm nga një person. Megjithatë, kompania theksoi se ishte rrjeti i parë i Pekinit që shënjestroi amerikanët përmes mesazheve politike përpara zgjedhjeve afatmesme.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like