Marrëveshje për njohje, pa sakrifikuar sovranitetin e Kosovës

by admin
Spread the love

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka përsëritur edhe një herë se marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet ta cenojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

Ai e ka thënë edhe një herë qëndrimin amerikan për marrëveshjen që duan në letrën e urimit për 14-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, njofton Klankosova.tv.

“Përderisa e festojmë bashkërisht këtë ditë të shënuar, ju premtoj se partneriteti i qëndrueshëm që e gëzojmë në mes të dy vendeve tona – Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës – do të vazhdojë vetëm të rritet në vitet e ardhshme. Si do ta bëjmë këtë? Së bashku! Së pari, duke e mbështetur përparimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Dëshirojmë të shohim Kosovën plotësisht të angazhuar në rajon dhe të integruar në institucionet evropiane dhe euroatlantike. Kjo do të thotë arritje të marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbisë të përqendruar në njohjen e ndërsjellë PA sakrifikuar sovranitetin e Kosovës, integritetin e saj territorial apo shkelur Kushtetutën e saj”.

Në urimin e tij, ambasadori amerikan deklaroi se ShBA-ja është krenare që e quan Kosovën partnere dhe mike.

“Kosova sot feston 14 vjet pavarësi – 14 vjet si vend sovran dhe si partnere e besueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të arriturat e Kosovës përgjatë 14 viteve të shkurta nuk janë asgjë më pak se mrekulli – demokraci e gjallë, ekonomi e aftë, si dhe lidership që Kosova e përçon përtej kufijve të saj”.

Hovenier ka deklaruar se shteti i tij mirëpret mundësitë për ta mbështetur Kosovën, përderisa i shfrytëzon mundësitë që i ka përpara.

 

 

You may also like