Marrëdhëniet diplomatike Gjermani-Kosovë, Rohde i konsideron ndër më të fuqishmet

by admin
Spread the love

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se Gjermania dhe Kosova kanë marrëdhënie të fuqishme diplomatike.

Në shënimin e 15-vjetorit të marrëdhënieve zyrtare diplomatike gjermano-kosovare, Rohde madje tha se nuk di ndonjë shtet tjetër me të cilin vendi i tij ka marrëdhënie kaq të fuqishme diplomatike.

“Nuk më bie në mend ndonjë shtet tjetër me të cilin kemi marrëdhënie kaq të fuqishme diplomatike. Nuk është vetëm diaspora me rreth 500 mijë qytetarë me prejardhje kosovare në Gjermani, por edhe pjesëmarrja në këtë ngjarje të sotme po e tregon dukshëm afërsinë tonë… Ne po ashtu ndajmë edhe vlera të njëjta”, tha ai, raporton gazeta10.

Më tej, siç raporton EO, ai tha se pjesëmarrja e kaq shumë organizatave gjermane dëshmon për miqësinë mes dy vendeve dhe poashtu faktin se Kosova dhe Gjermania ndajnë edhe vlera të përbashkëta.

Ndërkaq, i pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe kryeministri Albin Kurti, i cili tha se Gjermania e ka ndihmuar shumë Kosovën në të gjitha fushat si në arsim, energji e sundim të ligjit.

“Gjermania ka qenë ndër vendet e para që na ka njohur, por para se të na njohë, Gjermania për neve është shteti në të cilën kanë gjetur strehë shumë disidentë nga Kosova, e shumë refugjatë”.

“Në këto 15 vjet të miqësisë, ne kemi kujtimet më të mira në sundim të ligjit, në arsim, në energji dhe infrastrukturë. Miqësia jonë do të thellohet. Falënderoj edhe pjesëtarët e KFOR-it që i kemi pjesë të  mbrojtjes dhe sigurisë për vendin tonë. Faleminderit dhe ju jemi mirënjohës”, potencoi Kurti.

You may also like