MAROK – Ndalohen mbi 1 100 migrantë që shkonin në Spanjë

by admin
Spread the love

RABAT, 2 janar /ATSH-DPA/ Ushtria marokene tha se ka ndaluar më shumë se 1 000 migrantë nga zona të ndryshme bregdetare përgjatë brigjeve të saj, të cilët po përpiqeshin të shkonin në Ishujt Kanarie dhe enklavat e Ceuta dhe Melilla, të cilat të gjitha i përkasin Spanjës.

“Njësitë e kontrollit kufitar të përbërë nga ushtria, njësitë xhandarmë, marina dhe forcat e sigurisë arritën të pengonin operacionet e migracionit të paligjshëm që nga e enjtja e kaluar”, sipas një deklarate të Komandës së Përgjithshme te Forcave të Armatosura Mbretërore Marokene.

Ata shtuan se gjatë operacioneve të ndryshme arrestuan 1 110 persona.

Në deklaratë thuhet se migrantët ishin shtetas nga vende të ndryshme arabe, kryesisht nga Maroku, Algjeria, Tunizia dhe Jemeni.

Marina marokene gjithashtu ndaloi dy varka me më shumë se 150 migrantë në bord pranë Dakhla në Sahara Perëndimore që po shkonin në Ishujt Kanarie.

Ushtria marokene tha se disa migrantë po shkonin gjithashtu në Ceuta dhe Melilla, dy territore spanjolle në bregdetin verior maroken.

Ishujt Kanarie, të vendosura në brigjet veriperëndimore të Afrikës, kanë përjetuar një rritje të mprehtë të mbërritjeve të anijeve që transportonin migrantë të parregullt që nga fillimi i tetorit.

Agjencia e OKB-së për refugjatët, UNHCR, raportoi se më shumë se 38 000 migrantë nga Afrika kanë arritur në ishuj në 2023. //a.i/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like