Nuk ka asnjë dyshim. Numrat nuk gënjejnë dhe thonë se Rei Manaj është sulmuesi shqiptar më në formë i momentit. Një tjetër konfirmim erdhi në ndeshjen e fundit të Superligës turke, ku futbollisti kuqezi shënoi dy gola të tjerë, vetëm tre ditë pasi tundi rrjetën edhe në Kupë.
Manaj realizoi në barazimin 2-2 që skuadra e tij Sivasspor arriti në shtëpi kundër Gaziantep.
Në minutën e tetë, sulmuesi hapi sfidën duke goditur saktë nga pika e penalltisë, për epërsinë e vendasve.
Vetëm shtatë minuta më pas, futbollisti shqiptar përsëriti veten në të njëjtën mënyrë. Ai mori sërish përsipër penalltinë e dytë të fituar nga Sivasspor, duke dyfishuar shifrat e rezultatit.
Për fatin e keq të Manaj dhe skuadrës së tij, miqtë barazuan që në pjesën e parë, ndërsa shifrat 2-2 mbetën në fuqi deri në fundin e ndeshjes. Por barazimi nuk e zbeh aspak ndeshjen dhe formën e shkëlqyer të Rei Manaj, i cili duket i rilindur pas transferimit te Sivasspor.
Në 23 ndeshje mes kampionatit dhe Kupës, sulmuesi numëron 14 gola, që vlejnë si një mesazh I qartë për Silvinjon, që ta marrë sërish në konsideratë, pas mungesës në eliminatoret e Euro 2024. /i.m /abcnews.al