Macron zotohet: Do të jem president i të gjithë francezëve

by admin
Spread the love

Emmanuel Macron mbërriti me gruan e tij Brigitte në qendër të Parisit, në podiumin e ngritur para Kullës Eiffel simbol të Francës, i shoqëruar nga një grup fëmijësh.

Ndërsa ekzekutohej himni evropian, ai ndaloi për të përshëndetur mbështetësit, duke shtrënguar duart.

Emmanuel Macron e nisi fjalimin e tij të fitores duke falënderuar mbështetësit e tij dhe popullin francez.

“Shumica prej nesh kanë zgjedhur të më besojnë mua,” thotë ai.

Macron falenderoi të gjithë ata që votuan për të dhe thotë se është i vetëdijshëm që shumë e votuan për të bllokuar të djathtën ekstreme.

Ai tha se po mendon edhe për ata që abstenuan dhe gjithashtu ata që votuan për Le Pen, të cilët sot janë të zhgënjyer.

“Që tani e në vazhdim, unë nuk jam më kandidat i një partie, por president i të gjithëve. U them atyre që votuan të djathtën ekstreme se përgjegjësia ime dhe e ekipit tim do të jetë të adresoj shqetësimet e tyre”, tha Macron.

“Unë do të punoj për një shoqëri më të drejtë dhe barazi mes burrave dhe grave. Ne duhet të tregojmë respekt sepse vendi ynë është kaq i ndarë… askush nuk do të lihet mënjanë. Kjo epokë e re nuk do të vazhdojë me metodat e 5 viteve të fundit. Lufta në Ukrainë tregon se ne po jetojmë kohë tragjike”, shtoi më tej Macron.

Ai e mbylli fjalën e tij duke thënë se është krenar që i shërben sërish popullit francez.

Fjalimi i tij u pasua nga interpretimi i Marsejezës, himnit kombëtar francez.

Me këtë fitore Macron bëhet presidenti i tretë francez që arrin të rizgjidhet në një mandat të dytë. Megjithatë ai nuk do të ketë shumë kohë për të shijuar fitoren pasi shumë shpejt duhet të mendojë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Politikani francez i ekstremit të majtë Jean-Luc Melenchon tha të dielën në një fjalim pas fitores së Macron se fushata për zgjedhjet legjislative në qershor fillon sonte.

Melenchon, i cili në raundin e dytë u bëri thirrje mbështetësve të tij të votonin Macron u kërkoi francezëve që janë të pakënaqur me sistemin të mos dorëzohen.

You may also like