Lutjet e të premtes bëhen në rrugë teksa policia izraelite ndalon aksesin në xhaminë e Jeruzalemit (fotot)

by admin
Spread the love

Besimtarët muslimanë në Jeruzalem kryenin sot lutjet e të premtes në rrugë teksa policia izraelite kufizoi aksesin në xhaminë e Al-Aqsa vetëm për të vjetrit.

Xhamia e Jeruzalemit është vendi i tretë më i shenjtë për muslimanët dhe të premteve është e mbushur me besimtarë, por Izraeli ka ndaluar hyrjen për javën e tretë radhazi që prej nisjes së konfliktit brutal në Gaza.

Zyrtarët thonë se ushtria lejon në xhami të premteve vetëm të moshuarit mbi 65 vjeç dhe qindra palestinezë u detyruan të kryenin lutjen e agimit në rrugët para xhamisë.

Ushtarë të shumtë izraelitë mbikqyrin besimtarët në Jeruzalemin Lindor, veçanërisht në Qytetin e Vjetër dhe portat që çojnë drejt Xhamisë.

Ndërsa në perëndim të Palestinës në Rripin e Gazës vijojnë bombardimet ajrore izraelite që kanë shkaktuar deri tani më shumë se 7000 të vdekur, mes të cilëve shumë fëmijë.

Përveç viktimave dhe të tjerëve qe do të shuhen nga pasojat, shqetësimi rritet për përhapjen e konfliktit në rajon teksa Izraeli dhe SHBA kanë goditur objektiva iraniane në Siri.

Ndërkohë Izraeli ka ndaluar furnizimet me ushqim, ujë e energji elektrike në Gaza, duke thënë se mund të shfrytëzohen nga Hamas.

“Njerëzit në Gaza po vdesin, jo vetëm nga bombat e sulmet por dhe nga pasojat e rrethimit izraelit”, tha sot kreu i agjencisë së OKB për refugjatët palestinezë Philippe Lazzarini.