Lumi Vjosë rrezikon ta kthejë Memaliajn nga një qytet në liqen!

by admin
Spread the love

BE të marrë në mbrojtje edhe memaliotët

Edhe pse është shprehur në çdo kohë nga memaliotët, si në regjimin e kaluar, por edhe sot në tranzicionin e ashtuquajtur demokraci, se duhet investuar për t’u mbrojtur nga ndonjë përmbytje e qytetit nga dalja e lumit Vjosë, nuk është bërë asgjë nga sistemi kaluar përveçse pyllëzimit me rrepe përreth bregut të lumit që përqafon qytetin, herë si kurorë dhe herë si një lak i pa shtrënguar, që pret t’i marr jetën një ditë.

Dihet që qyteti është ndërtuar në një fushë, ku dikur ka qenë shtrati i lumit Vjosë dhe memaliotët i dinë gjurmët e brezave të lumit duke filluar që nga ai aktual, tjetri ku mbarojnë zallishtet, i treti 4-5 m i lart, ku ka pas qenë tribuna e festës së 27 Qershorit.

Të gjitha këto breza janë në pjesën lindore të gadishullit që është formuar nga rrjedhja e lumit, ku shtrihet qyteti.

Brezat e banorëve që themeluan qytetin, e zgjodhën ketë fushë, pasi ndodhej më afër me hapjen e galerisë së parë të qymyrgurit që ndodhej përtej lumit.

Sa herë që hapeshin themelet e ndërtesave, punëtorët ndeshnin formacione zalli dhe vende-vende edhe me ujë nëse do vazhdohej të gërmohej.

Tek fillimi i brezit të tretë që vazhdonte dhe fillimi i fushës së sportit, shtresat e zallishteve fillonin nga 30 cm thellësi, në qendër të qytetit 70-80 cm ku nuk lejoheshin të ndërtoheshin pallate mbi katër kate e deri në afërsi të rrugës nacionale që kapte shtratin e vjetër të Vjosës, në thellësitë 90 cm -110 cm, ku lejonin ndërtimin pallateve, jo më shumë se me pesë kate.

Të gjitha këto kufizime nga studiuesit, ishin të sakta, duke i nisur nga këto formacione të shtresave që lartpërmenda. Kjo e fuste shtrirjen e urbanistikës, në një zonë të rrezikshme tektonike, të atillë që nga ndonjë tërmet i fortë, përveçse ndërtesat do të binin mund edhe të fundoseshin!

Përveç përmbytjes, banorët ende jetojnë edhe me tmerrin e heshtur të ndonjë tërmeti qoftë me lëkundje edhe më të dobta, pasi gjysma e tërmetit po përjetohet ngaqë pallatet janë vjetruar aq shumë por edhe nga mosmirëmbajtja, sa që mund të bien vetvetiu nga çasti në çast dhe falë Zotit që po i mëshiron!

Themeluesit e qytetit, jo paqëllim mbollën me qindra rrepe në pjesën lindore të qytetit që kufizohet me bregun e lumit, për t’i bërë parapritë gërryerjeve të ngadalta që bënë Vjosa! Pas vitit ‘90 së bashku me ndryshimin e sistemeve, filloi edhe prerja e jashtëligjshme e këtyre rrepeve, nga disa banorë të pandërgjegjshëm për kohën, por sot janë të vetëdijshëm për katastrofën që kanë dhuruar!

Në ato vite, Vjosa e ka kërcënuar disa herë qytetin dhe banorët, duke i detyruar ata të lënë gjithçka dhe të vendosen për disa orë në kodrën ku shtrihet ende Fshati Memaliaj.

Madje, për një kohë u vendosën edhe vëzhgues që përgjonin Vjosën, se mos dilte dhe i gjente banorët në gjumë.

Falë brezit të parë të terrenit me formacioneve shkëmbore me shtrirje prej 4 m dhe lartësi 1-2 m në krahun jugor, ku përplaset Vjosa dhe i detyron rrjedhën kësaj të fundit, bënë të mundur ekzistencën e këtij qyteti që shtrihet mbi një fushë që herë-herë nëpër kohëra ka qenë edhe shtrati i Vjosës! Brezi i dytë i këtij krahu është vertikal prej 4-5 m dhe prej dheu të përzier me zallishte, që nga viti në vit, humbet ngadalshëm kufirin me Vjosën dhe kjo paralajmëron se duhen marr masa për ta mirëmbajtur këtë mbrotje natyrore, pasi nesër do jetë shumë vonë! Po në këtë krah të bregut të Vjosës: Këtë verë kryetari bashkisë, Gjelek Guci, filloi punimet për hapjen e një rruge dhe me trotuarë, por për mungesa fondesh, u la në mesë kjo ëndërr e vjetër memaliotësh, jo vetëm që do të mbrojë qytetin nga përmbytjet, por do të nxit edhe turizmin në këtë qytet.

Meqë lumi Vjosë është marr në mbrojtje nga BE, si i vetmi lumë i egër në Europë, po këta duhet të kryejnë studime dhe investime për të mbrojtur edhe banorët e qytetit Memaliaj, nga përmbytjet që mund të shkaktohen nga egërsia e pakontrolluar e rrjedhjes së saj, si shkak i prurjeve natyrore!

Kjo kërkon një dëshirë dhe studim dhe investim të përbashkët jo vetëm nga Bashkia Memaliaj dhe qeveria shqiptare, por edhe nga BE, pasi ndërhyrjet në bregun e Vjosës duhet të bëhen, jo vetëm të rezistueshme për një kohë shumë të gjatë, por edhe estetike, për t’iu përshtatur lumit, sa më natyrshëm.

E kam fjalën për zbatimin e projektit të rrugës buzë lumit, që të mos bëhet vetëm për efekt fushate, por për t’i shërbyer sa më gjatë komunitetit vendas dhe atij turistik. Brezi i rrugës që do të shërbejë edhe si kufi mbrojtës, të jetë i një lartësie të mirëstudiuar dhe mundësisht të jetë i ngjashëm me bedenat e një kështjelle.

Padyshim që do të ketë trotuare dhe ndriçim nga të dy krahët dhe njësi të ndryshme të shërbimit social, të lejuara të ndërtohen vetëm nga krahu i qytetit dhe padyshim që qëllimi i arritjes së suksesit, do të jetë shumëfishtë, pasi do sjellë edhe të ardhura ekonomike!

Bashkia, në mirëkuptim edhe me banorët e saj, po çlirohet nga hapsirat e zaptuara pa leje e sidomos në ato në krahë të rrugëve, të cilat po shfrytëzohen për trotuare, duhet të investojë edhe për suvatimin e pallateve dhe mbrojtjen nga rrjedhja e pakotrolluar e Vjosës.

Për këtë të fundit, nëse qeveria lokale do të kryej një studim serioz e vizionar dhe t’ia dërgojë atyre organeve europiane që e kane marr në mbrotje, padyshim që do marrin jo vetëm fonde të mjaftueshme, por edhe specialistë, për të marr pjesë në këtë projekt! Madje, nga të huajt, mund të merret shkas edhe për ndërtimin e ndonjë pasarele apo ure edhe pse kjo e fundit, kam dëgjuar se është nën vëzhgimin e një fondacioni që mund ta marr përsipër.

Qeveria lokale duhet t’ia kishte parashtruar prej kohësh, këto shqetësime serioze qeverisë qendrore dhe duhet të luftonte për të fituar fondet për zbatimin e këtij projekti, por kanë bërë të kundërtën duke shkatërruar vlerat e shenjta historike të qendrës së qytetit, duke filluar jo vetëm nga ai i suvatimit të pallateve të gurta që ishin kështjellat tona, por edhe duke e kthyer atë nga një kopësht botanik, në një shesh që i ngjanë atyre të ajrimit të burgjeve apo kampeve të përqëndrimit!

Siç e kam shprehur në detaje edhe në shkrime të tjera, se me pak shpenzime qendrës i rikthehej më bukur pamja që meritonte dhe pjesën tjetër i kalonte suvatimeve, jo duke pasuruar kompanitë, por duke ngritur brigadën e ndërtimit nga vetë bashkia, për të kryer punime me kosto sa më të ulët dhe duke punësuar sa më shumë banorë në nevojë!

Duke parë se ç’farë ndodhi me qendrën e qytetit, më mirë që nuk zbatuan projektin e “Unazës së Vjosës”, pasi do ta kishin shëmtuar krejtësisht, aq më keq që nuk ishte marr ende në mbrojtje nga BE. Deri më dje, ia hidhja fajin kryetarit të bashkisë, por nuk është kështu, pasi faji u bie këshilltarëve të Këshillit Bashkiak, të cilët votojnë për të legalizuar dhe zbatuar këto projekte!

Mesi i këtij shekulli do të godasë me fatkeqësi gjithë Europën, ku bëjnë pjesë edhe përmbytjet, por më e rrezikuar është qyteti Memaliaj.

Nëse Europa kërkon të mbrojë egërsinë e Vjosës, duhet të mbrojë edhe memaliotët, në të kundërt, Memaliaj nga një gadishull lumor, mund të zgjohet në një liqen me apo pa ishull.

You may also like