Luftëra të vazhdueshme Izrael – Hamas – Shqip

by admin
Spread the love

Nga viti 2005, Hamasi dhe Izraeli kanë zhvilluar luftëra të përgjakshme me pasojë qindra mijëra viktima

Trupat izraelite kanë rrethuar Rripin e Gazës dhe po e bombardojnë me intensitet me qëllim për të shkatërruar organizatën Hamas. Kjo është ofensiva më e madhe ndaj Rripit të Gazës që nga Gushti i vitit 2005.

Ushtria izraelite ka mobilizuar mbi 350 mijë rezervistë, por lufta urbane është e vështirë dhe përgatitjet e ushtrisë izraelite për një inkursion të tillë pritet të zgjasin.

“Palestinezët janë mëkati origjinal i Izraelit. Dhe për t’u pastruar nga ky mëkat, ne hebrenjtë kemi vetëm një rrugë: T’u japim atyre një shtet”. Janë fjalët e fituesit të çmimit Nobel për Paqe, Shimon Peres, që përmbledhin dilemën e konfliktit shekullor mes hebrenjve dhe arabëve, konflikt i cili shënoi kulmin më 7 Tetor 2023.

Një padrejtësi që zgjat prej dy mijë vjetësh shumë kohë përpara tmerrit të Holokaustit dhe shfarosjes së 6 milionë hebrenjve në kampet e përqëndrimit.

Në vitin 1917 Lord Balfour, Sekretari i Jashtëm britanik, inkurajoi krijimin e “një vatre kombëtare hebraike në Palestinë” dhe në çerek shekullin e ardhshëm emigrantët hebrenj blenë toka, por bashkëjetesa me arabët u bë gjithnjë e më e vështirë, duke rezultuar në agresion të ndërsjellë.

Në vitin 1947, Kombet e Bashkuara miratuan ndarjen e Palestinës Britanike në dy shtete: një për hebrenjtë dhe një për palestinezët. Një kompromis që hebrenjtë e pranuan dhe palestinezët e refuzuan. Lufta bëhet midis hebrenjve dhe arabëve: nga njëra anë Egjipti, Siria dhe aleatët e tyre dhe nga ana tjetër, Izraeli.

Thuajse çdo dekadë ka shpërthyer një konflikt. I pari në vitin 1948 kur u themelua Shteti i Izraelit, më pas në vitin 1956, në 1967 shpërtheu (Lufta Gjashtë Ditore), në 1973, në 1981, ndërsa nga 1987 në 1993, nga viti 2000 deri në 2005, nga viti 2006 e deri më sot të ashtuquajturat “luftërat e Gazës”, ku Hamasi dhe grupet e tjera fundamentaliste islamike sulmojnë Izraelin.

Në vitin 1979, presidenti egjiptian Sadat nënshkroi një marrëveshje paqeje me Izraelin. Ai kërkoi “autonomi” për palestinezët, por dy vjet më vonë ai u vra në Kajro nga një ekstremist egjiptian, i cili ishte kundër paqes me hebrenjtë. Në vitin 1993, kryeministri izraelit Rabin dhe Jaser Arafati filluan një proces që supozohej t’u jepte palestinezëve një shtet për 5 vjet. Por dy vjet më vonë Rabin u vra në Tel Aviv nga një ekstremist izraelit kundër paqes me arabët.

Në vitin 2000, kryeministri izraelit Ehud Barak i ofron Arafatit një shtet palestinez në Bregun Perëndimor dhe Gazën, me Jerusalemin Lindor si kryeqytet, Arafati refuzon.

Në vitin 2004, Arafati ndërron jetë. Në vitin 2005, Izraeli tërhiqet plotësisht nga Gaza. Në vitin 2006 Hamasi, i klasifikuar si organizatë terroriste nga SHBA dhe BE, i financuar nga Irani dhe Hezbollahu libanez, fiton zgjedhjet legjislative palestineze dhe merr pushtetin në Gaza. Më shumë se një shekull pas lindjes së Sionizmit, konflikti izraelito-palestinez vazhdon.

Në gusht të vitit 2005, forcat izraelite u tërhoqën në mënyrë të njëanshme nga Rripi i Gazës 38 vjet pasi e pushtuan atë nga Egjipti në luftën në Lindjen e Mesme. Trupat izraelite braktisën vendbanimet dhe e lanë enklavën nën kontrollin e Autoritetit Palestinez.

“Hamasi mori 30 vende dhe 46 për qarkun që është e barabartë me 76 vende.”

Por vitin tjetër, më 25 Janar 2006, grupi islamik Hamas fiton shumicën e vendeve në zgjedhjet legjislative palestineze. Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara ndërprenë menjëherë ndihmën për palestinezët sepse Hamasi refuzon të heqë dorë nga dhuna dhe të njohë Izraelin.

Me ardhjen e Hamasit në pushtet në Gaza, tensioni fillon të rritet. Më 25 qershor 2006 militantët e Hamasit kapin ushtarin izraelit Gilad Shalit gjatë një sulmi të papritur ndërkufitar, duke shkaktuar si reagim, sulme ajrore dhe inkursione izraelite në Gaza.

“Përshëndetje, jam Gilad, djali i Noam dhe Aviva Shalit, vëllai i Hadas dhe Yoel, i cili jeton në Mitzpe Hila. Numri im i ID është 300097029.”

Shalit lirohet më në fund pas mbi pesë vjet robërie gjatë një shkëmbimi të burgosurish.

Një vit më pas, nga qershori 2007, Hamasi dhe forcat e Fatahut, besnike të presidentit palestinez Mahmud Abbas përshihen në luftime. Fatahu mbetet në Bregun Perëndimor.

Sulmet e Hamasit nuk pushojnë. Më 27 dhjetor 2008, Izraeli nis një ofensivë ushtarake 22-ditore në Gaza pasi palestinezët qëlluan me raketa qytetin jugor izraelit Sderot. Gjatë luftës rreth 1,400 palestinezë dhe 13 izraelitë u raportuan të vrarë përpara se të arrihej një armëpushim.

Situata do të ketë ulje-ngritje deri më 14 nëntor 2012, kur Izraeli vret shefin e shtabit ushtarak të Hamasit, Ahmad Jabari-n. Ky veprim i Izraelit i nxeh gjakrat mes palëve, pasojnë tetë ditë sulme me raketa nga ana e militantëve palestinezë të Hamasit. Izraeli kundërpërgjigjet me sulme ajrore.

Kryeministri i Izraelit: Sot ne i kemi dërguar një mesazh të qartë Hamasit dhe organizatave të tjera terroriste. Dhe nëse ka nevojë, Forcat e Mbrojtjes Izraelite janë të përgatitura për të zgjeruar operacionin. Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka për të mbrojtur qytetarët tanë.

Presidenti i Autoritetit Palestinez: Izraeli tani po përshkallëzon në mënyrë të jashtëzakonshme dhe në një mënyrë të paprecedentë, ne nuk e dimë se ku po shkon. Që në fillim, në fillim të atentateve, ne ndjemë se Izraeli ka një plan dhe ky plan është të godasë popullin tonë, të shkatërrojë Gazën dhe sigurisht projektin kombëtar palestinez.

Dy vjet më pas, në muajt korrik – gusht 2014, Hamasi rrëmben dhe vret tre adoleshentë izraelitë. Ky akt barbarie i Hamasit ndezi një luftë shtatë-javore në të cilën raportohet se u vranë mbi 2100 palestinezë në Gaza. Nga ana e Izraelit u vranë 73 vetë, 67 prej tyre ushtarakë.

“Kontakti u humb gjatë orëve të vona të natës me tre të rinj në zonën e Gush Etzion dhe që në mëngjes herët ishim të zënë me një operacion ushtarak për kërkimin e tyre”, tha një zëdhënës i Izraelit.

Izraeli mban Rripin e Gazës të rrethuar. Në mars të vitit 2018 filluan protestat palestineze në kufirin e rrethuar të Gazës me Izraelin. Trupat izraelite hapin zjarr për t’i mbajtur protestuesit prapa. Mbi 170 palestinezë u raportuan të vrarë në protestat disamujore, të cilat gjithashtu nxitën luftime midis Hamasit dhe forcave izraelite.

Pas javësh tensioni në maj të vitit 2021, gjatë muajit të Ramazanit, qindra palestinezë u plagosën në përleshjet me forcat izraelite të sigurisë në kompleksin e xhamisë Al Aksa në Jerusalem, vendi i tretë më i shenjtë i Islamit.

Pasi i kërkoi Izraelit të tërheqë forcat e sigurisë nga kompleksi Al Aksa, Hamasi lëshoi një breshëri raketash nga Gaza. Izraeli kundërpërgjigjet me sulme ajrore në Gaza. Luftimet vazhdojnë për 11 ditë, duke vrarë të paktën 250 vetë në Gaza dhe 13 në Izrael.

Udhëheqësi i Hamasit: Ne u thamë të gjithë atyre që e kanë injoruar zjarrin e ndezur në Jerusalem dhe xhaminë Al-Aksa dhe flakët e shtrirë në Gaza nga pushtimi izraelit, se ai është përgjegjës për pasojat.

Në gusht të vitit 2022, të paktën 44 vetë, përfshirë 15 fëmijë, vriten në tre ditët e dhunës që nisën kur sulmet ajrore izraelite goditën një komandant të lartë të Xhihadit Islamik, një tjetër organizatë e rezistencës palestineze.

Kryeministri i Izraelit: Direktiva është të vazhdojmë të godasim objektivat e terrorit. Ushtria izraelite po e bën mirë detyrën, sot ka eliminuar një tjetër komandant të lartë të Xhihadit Islamik, kemi goditur një njësi detare të Hamasit dhe vazhdojmë të godasim infrastrukturën nëntokësore të Hamasit dhe objektiva të tjerë. Ne do të vazhdojmë të veprojmë sipas nevojës për të rivendosur paqen dhe sigurinë për të gjithë banorët e Izraelit.

Izraeli tha se bombardimet u ndërmorën si një operacion parandalues kundër një sulmi të afërt të lëvizjes militante që mbështetet nga Irani, duke synuar komandantët dhe depot e armëve. Si kundërpërgjigje, Xhihadi Islamik lëshoi më shumë se 1000 raketa drejt Izraelit. Sistemi i mbrojtjes ajrore Iron Dome i Izraelit parandaloi çdo dëmtim serioz ose viktima.

Në janar 2023, Xhihadi Islamik në Gaza lëshoi dy raketa drejt Izraelit pasi trupat izraelite sulmuan një kamp refugjatësh dhe vranë shtatë persona të armatosur palestinezë dhe dy civilë. Raketat ndezën alarmin në komunitetet izraelite pranë kufirit, por nuk shkaktuan viktima. Izraeli përgjigjet me sulme ajrore në Gaza.

Klan News

You may also like