Llapi mposht Lirinë dhe bëhet lider i Superligës

by admin
Spread the love

Skuadra e Llapit ka marrë kreun e tabelës në Superligën e Kosovës në futboll. Ekipi nga Podujeva, të dielën është bërë lider i elitës së futbollit kosovar pasi ka shfrytëzuar barazimin e Ballkanit.

Në stadiumin “Zahir Pajaziti”, Llapi triumfoi 3:0 ndaj Lirisë për pozitën e parë në tabelë. Tani, Llapi ka 54 pikë, një më shumë se Ballkani që ka rënë në vendin e dytë dhe tri më shumë se Drita që mbetet e treta. Llapi, pa telashe mposhti Lirinë, ekip që tashmë mund të llogaritet se ka rënë nga Superliga.

Dy gola në pjesën e parë dhe një tjetër në të dytën, i dhanë fund dilemës së fitores në Podujevë. Leotrim Bekteshi (8’) e kaloi Llapin në epërsi, ndërsa Adem Maliqi (17’) dyfishoi avantazhin dhe në të dy golat asistoi Hamdi Namani.

Ndërkohë, golin e tretë për Llapin e shënoi sulmuesi Muhamet Hyseni (66’) për rezultatin përfundimtar.

Fitore të rëndësishme të dielën shënoi edhe Feronikeli ’74. Ekipi nga Drenasi triumfoi 1:0 ndaj Fushë Kosovës.

Golin e vetëm në këtë përballje e shënoi Ibrahim Cervadiku në minutën e 9-të.

Gjilani dhe Dukagjini kanë luajtur 1:1. Elton Cale (15’) e kaloi në epërsi Gjilanin, kurse Altin Merlaku (49’) shënoi për t’ia siguruar një pikë Dukagjinit.

You may also like