Ligji i Brandolinit, ose parimi i asimetrisë së budallallëkut

by admin
Spread the love

A keni dëgjuar ndonjëherë për ligjin e Brandolinit? A keni menduar ndonjëherë pse është kaq e vështirë të demaskosh një gënjeshtër apo të mohosh lajmet e rreme? Le të zbulojmë së bashku se si lindi kjo hipotezë dhe cilat janë pengesat për të menduarit racional.

Ligji i Brandolinit është pjesë e rregullave informale të njohura si “eponime”. Këto lindin spontanisht dhe ne i marrim si të mirëqena, edhe nëse nuk e kemi marrë parasysh formulimin e tyre rigoroz ose nuk kemi kryer një studim për të mbledhur prova mbështetëse. Ky që sjellim mban emrin e krijuesit të tij: Alberto Brandolini, një programues italian i famshëm në Twitter.

Ja çfarë thotë parimi i Brandolinit: sasia e energjisë e nevojshme për të hedhur poshtë një marrëzi, gënjeshtër ose mashtrim është e një rendi më të lartë madhësie, se sa kërkohet për ta prodhuar atë. E thënë thjesht, duhet shumë më tepër përpjekje për të hedhur poshtë budallallëkun, sesa për ta prodhuar ose mbajtur atë.

Kjo premisë nuk mund të ishte më aktuale, sidomos nëse flasim për rrjetet sociale (RR. SS.). Sasia e marrëzive të postuara në këto hapësira virtuale është praktikisht e pamatshme. Në mënyrë të ngjashme, janë të dështuara edhe përpjekjet për t’i nxjerrë njerëzit nga gabimi.

“Në disa raste, një ekspert në një temë të caktuar e gjen veten të përfshirë në një debat kundër njerëzve pa formim profesional, por me shumë opinione për të ofruar. Këto lloj situatash shpesh përfundojnë duke favorizuar konkurrentin, mendimi i të cilit është më i popullarizuari, dhe jo personin që me të vërtetë i ka faktet në anën e vet.

-Mauricio Sanchez-

Ligji i Brandolinit

Origjina e mendimit të Brandolinit daton në janar 2013, në Twitter. Pasi i erdhi në majë të hundës duke diskutuar gjëra të pakuptimta me të huajt, programuesi filloi të lexonte librin “Mendo shpejt, mendo ngadalë”, nga Daniel Kahneman. Pasi mbaroi së lexuari, ai ndoqi një debat televiziv midis gazetarit Marco Travaglio dhe ish-kryeministrit italian, Silvio Berlusconi. Sikleti që i shkaktoi ishte i tillë, saqë ai formuloi në një tweet duke përpunuar ligjin e tij të famshëm.

Brenda pak orësh, qasja u bë virale. Mijëra njerëz u pajtuan me këtë premisë. Intuita e Brandolinit vlen mbi të gjitha për çështje të tilla si lajmet e rreme dhe paragjykimet konjitive. Njihet gjithashtu si “Parimi i asimetrisë së marrëzisë” ose “Asimetria e budallallëkut”.

Aktualisht, debati publik përplaset me 2 pengesa kryesore, të cilat i analizojmë më poshtë.

Mungesa e të menduarit racional, e përshkruar si boshti i filozofisë që kërkon bazën për vendosjen e besimeve tona. Në vend të tyre janë një sërë pretendimesh ekstravagante të lindura nga urrejtja, hakmarrja, interesi vetjak dhe të gjitha llojet e emocioneve të ulëta.

Mungesa e informacionit të bazuar në fakte. Eshtë e lehtë të përpilosh një përfundim, pa asnjë provë mbështetëse.

Asimetria e budallallëkut

Në realitet duhet shumë pak për të shpikur marrëzira. Thjesht shkruani çdo budallallëk që ju vjen në mendje, dhe kaq. Problemi është se ka shumë njerëz të gatshëm të besojnë çdo gjë dhe kjo njohje është thjesht elozhi që kërkon marrëzia (Carbonell Castañer, 2012).

Për më tepër, siç përmend një artikull në revistën Historia y Comunicación Social, rrjetet sociale dhe interneti në përgjithësi rrisin polarizimin, duke promovuar analiza emocionale dhe të pasakta.

Pikërisht atëherë shfaqet përpjekja për të shtrembëruar dhe krijuar ato lajme të rreme ose gënjeshtra të kollajta. Në mënyrë paradoksale, nevojiten argumente të forta për ta bërë këtë. Pse? Ligji i Brandolinit i nënshtrohet 3 aspekteve asimetrike.

  1. Asimetria e impaktit

Pretendimet e pasakta priren të kenë më shumë ndikim sesa përpjekjet e mëvonshme për t’i sfiduar ato. Për shembull, dikush që thotë se alienët do të na pushtojnë nesër, duke ndjekur parashikimet e “shkencëtarit të famshëm Pepito Pérez dhe The Simpsons”, ka të ngjarë të tërheqë vëmendjen; një aspekt tjetër është se ai arrin të bindë dikë.

Më pas, vërtetimi se Pepito Pérez nuk ekziston dhe se Simpsons nuk është një burim i besueshëm parashikimi, do të ketë më pak interes.

  1. Asimetria e ruajtjes së kujtesës

Pretendimet fillestare të pabesueshme/të pabalancuara lënë një gjurmë më të thellë në kujtesë sesa përpjekjet e mëvonshme për t’i hedhur poshtë ato, edhe nëse janë shumë të vlefshme. Njerëzit e mbajnë mend pretendimin e Pepitos, më shumë se 50 ekspertët që e hodhën poshtë atë.

  1. Asimetria e infektuesit

Kjo tregon se, në përgjithësi, ne priremi t’i perceptojmë ata që përhapin marrëzinë si të privilegjuar. Në vend të kësaj, ata që i kundërshtojnë shihen si persona që “prishin festën”. Njerëzit priren të pëlqejnë më shumë pretendimet magjike, të rreme por të fuqishme. Në këtë kuptim, ne jemi të joshur nga mundësia.

Zgjidhja sipas ligjit të Brandolinit: Injorojini!

Ne të gjithë kemi një person vigjilent brenda nesh, i cili ndonjëherë është i shqetësuar për të mbrojtur atë që ne mendojmë se është e vërtetë. Megjithatë, siç thekson ligji i Brandolinit, ndonjëherë ne harxhojmë shumë energji duke diskutuar gjëra të pakuptimta me njerëz që nuk duan të arsyetojnë dhe që refuzojnë çdo argument, sado i fortë qoftë.

Prandaj, gjëja më e shëndetshme dhe me mend për të bërë është të injoroni ata që janë të ngulur në pozicione absurde. Polemika vetëm sa u kep dukshmëri; në fakt, mund të bëhet një mundësi për të marrë rolin e viktimës, një pozicion në të cilin ata ndihen rehat falë përfitimeve dytësore që marrin. / Shqip

You may also like