Lidhje false: Kur titujt, pamjet ose titrat nuk e mbështesin tekstin

by admin
Spread the love

Kur titujt, pamjet ose titrat nuk e mbështesin tekstin, krijohet “lidhja false”. Kjo keqinformon audiencën, shtrembëron perceptimet dhe kontribuon për dezinformimin.

Lidhja false ndodh kur tituj, pamje apo përshkrime të shkurtra që shoqërojnë një tekst tregojnë një marrëdhënie, implikim apo konkluion, i cili ose nuk mbështetet ose bie ndesh me tekstin.

1

Titujt mashtrues

Titull mund të sugjerojë një marrëdhënie sensacionale ose dramatike midis personave, e cila nuk mbështetet nga teksti i artikullit. Kjo taktikë, e përdorur shpesh për të rritur klikimet (titujt karrem), mund t’i keqinformojë ata lexues, të cilët mjaftohen vetëm me leximin e titujve kur duan që të informohen.

Titujt mashtrues (shembull)

Një artikull me titull “Studimi i ri tregon që çokollata shkakton rënie në peshë”, mund t’i shtyjë lexuesit të besojnë që, nëse konsumojnë çokollatë, kjo do i ndihmojë të humbasin peshë. Por nëse e lexon, teksti thotë thjesht që konsumi i sasive të vogla të çokollatës ndihmon për një dietë të ekuilibruar. Në këtë rast titulli thjeshton shumë dhe keqinterpreton zbulimet e studimit.


2

Fotografi dhe video mashtruese

Një fotografi, video apo grafikë që nuk përfaqëson saktë përmbajtjen e artikullit mund të krijojë një përshtypje të rreme të historisë së publikuar. Për shembull, përdorimi i një fotografie, nga një ngjarje krejtësisht tjetër për të ilustruar një lajm rreth një incidenti të fundit.

Fotografi dhe video mashtruese (shembull)

Një gazetë apo portal, publikon një artikull për një protestë paqësore, por përdor një foto nga një ngjarje tjetër, ku ka patur dhunë. Kjo krijon një lidhje të rreme midis protestës paqësore dhe dhunës, duke i mashtruar shikuesit, që të mendojnë se protesta u shndërrua në dhunë. Fotoja nuk përfaqëson me saktësi ngjarjen për të cilën raportohet, duke çuar në keqkuptime për natyrën e protestës.


3

Titrat e pasakta

Titrat që përshkruajnë gabim fotografi, video ose infografika mund të mashtrojnë gjithashtu lexuesit. Ato mund të nënkuptojnë një kontekst ose emocion që është i pasaktë ose jo i pranishëm në tekst, duke çuar në keqkuptime rreth temës.

Titrat e pasakta (shembull)

Një fotografi tregon një politikan duke folur me një grup të vogël njerëzish, në një sallë. Titulli sugjeron se politikani “po dështon në tërheqjen e turmave të mëdha të njerëzve”, duke nënkuptuar mungesën e popullaritetit. Megjithatë, aktiviteti mund të ketë qenë një mbledhje e vogël me rrethin e ngushtë, jo miting. Titra mashtruese krijon një narrativë të rremë për popullaritetin e politikanit dhe qëllimin e aktivitetit.


4

Postimet në mediat sociale

Mediat sociale përkeqësojnë problemin e lidhjeve false. Postimet shpesh përfshijnë tituj sensacionalë ose imazhe me pak ose aspak kontekst, dhe përdoruesit mund të ndajnë materiale bazuar në pamjet paraprake në hapësirën e tyre të mediave sociale, pa lexuar artikujt e lidhur me to.

Postimet në mediat sociale (shembull)

Një postim në rrjetet sociale përfshin një videoklip të një personi të famshëm me një mbishkrim që sugjeron se po mbështet një qëndrim politik të diskutueshëm. Klipi është nxjerrë jashtë kontekstit nga një intervistë më e gjatë, ku personazhi po diskutonte një temë krejtësisht të ndryshme, pa lidhje me çështjen politike. Njerëzit që ndajnë postimin mund të besojnë dhe përhapin dezinformimin, duke ndikuar në perceptimin publik.

Për të luftuar lidhjet false, është thelbësore që të gjithë elementët e përmbajtjes (titujt, pamjet, titrat) të përfaqësojnë dhe mbështesin me saktësi mesazhin kryesor.

Lexuesit mund të mbrohen duke vlerësuar në mënyrë kritike përmbajtjen që konsumojnë, duke parë përtej titujve dhe fotografive dhe duke lexuar artikuj të plotë, përpara se të formojnë opinione ose të ndajnë informacione.

You may also like