Lidhja Europiane për Ndryshim: BDI është pengesa kryesore e integrimit në BE

by admin
Spread the love

Të nderuar qytetarë, të nderuara media,

Bashkimi Evropian përmes Ambasadorit holandez bëri të ditur që BDI është bërë frenuesja kryesore e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Vërejtjet nga partnerët ndërkombëtarë po vijnë një pas një. Reagoi ambasadori i BE-së, që po keqpërdoret flamuri Europian për të ngulfatur debatin.

Reagoi fuqishëm Ambasadorja e SHBA-ve zonja e nderuar Angela Ageler, duke konstatuar që në RMV  ekziston epidemi e korrupsionit e askujt nga pushteti nuk i bëri përshtypje që një partner aq i rëndësishëm si SHBA-ja po e thotë këtë gjë.

Më tutje, me të dhëna empirike e grafike, doli raporti  i Komisionit Europian, që aspak nuk do të druajmë ta quajmë skandaloz e më i keqi deri tani, ku në çdo faqe të këtij raporti shihni konstatimin ‘no porgress was made’ dhe përsëri askush nuk e mori këtë seriozisht. Përkundrazi paaftësinë e tyre tentuan t’ia mveshin opozitës.

Të dashur qytetarë, takimi i djeshëm i ambasadorit të Holandës, shkëlqesisë së tij Dirk Jan Kop dhe Ali Ahmetit, si dhe porosia e përçuar në këtë takim nga ambasadori, edhe njëherë e bëri me dije para opinionit të gjërë se BDI është pengesa e vërtetë për integrimin e vendit në BE, me gjitha veprimet e tyre anti-europiane, anti-demokratike e me skandalet e tyre të njëpasnjëshme korruptive. Ky takim ishte goditja më e rëndë për gënjeshtrën e rradhës të BDI-së, për të ashtuquajturin Front Evropian.

Shihet qartë se edhe partnerët ndërkombëtarë tashmë e kanë kuptuar mirëfilli se fjalët e BDI nuk përputhen me veprimet e tyre dhe manipulimi i tyre është ajo që i mban peng qytetarët e Maqedonisë së Veriut për të qenë pjesë e familjes Europiane.

E mira e kësaj pune është se ditët i kanë të numëruara dhe qytetarët e kanë të qartë se në zgjedhjet e ardhshme do të vendoset mes Lidhjes Europiane për Ndryshim nga njëra anë, që përpiqen për luftë të vërtetë kundër krimit e korrupsionit, të rikthejnë demokracinë dhe ta kthejnë shtetin e së drejtës, dhe nga ana tjetër këtyre tjerëve që shpëtimin e vetëm e shohin te kthimi i Nikolla Gruevskit, prandaj edhe tërë ky presion për shkarkim e për linçim u koncentrua pikërisht te kryetarja e Gjykatës Supreme, zonja Besa Ademi, sepse i rezistoi këtij presioni.

Lidhja Europiane për Ndryshim zotohet se  do të sjellë ndryshimin që qytetarët e meritojnë, njëherë e përherë. Pas 8 majit do të vijë një Qeveri që do zbatojë drejtësi të paanshme dhe shtet të së drejtës ku krimi dhe korrupsioni nuk do të kenë vend.

NDRYSHIMI PO VJEN!

Lidhja Europiane për Ndryshim

MARKETING



You may also like