Levante i hap punë Barcelonës, Luuk De Jong bëhet “hero” në fund

by admin
Spread the love

Barcelona ka triumfuar 3-2 në një ndeshje dramatike kundër Levante dhe ngjitet sërish në vendin e dytë, me pikë të barabarta me Sevilla. Për katalanasit nuk ishte e lehtë, por në fund ia dolën të marrin fitoren e shtatë radhazi në LaLiga.

Levante ishte më e rrezikshme në pjesën e parë, teksa që në minutën e pestë Campanda goditi pranë shtyllës pingule. Vendasit gjithsesi mundësinë më të mirë për të shënuar e kishin në minutën e 28-të, kurse Jose Luis Morales “vallëzoi” në zonë dhe u ndal mrekullisht nga Ter Stegen.

45 minutat e para u mbyllën pa gol, kurse e dyta nisi me një penallti në favor të Levante. Morales u tregua i saktë dhe kaloi skuadrën e tij në epërsi. Katër minuta më pas pati një tjetër penallti dhe këtë herë goditi Roger Marti.

Portieri gjerman e ndali dhe e mbajti në lojë Barcelonën, që arriti shumë shpejt të barazonte me Aubameyang. Sulmuesi nga Gaboni nuk fali me një goditje me kokë brenda zone. Katalanasit mbetën në sulm dhe Pedri ishte ai që kaloi në epërsi skuadrën e Xavi.

Penalltitë në këtë ndeshje nuk kishin mbaruar dhe sërish u akordua një për Levante, që e ktheu në gol Melero dhe sfida u barazua në 2-2. Barcelona nuk u dorëzua dhe në shtesë Luuk de Jong ndëshkoi vendasit dhe i dha fitoren skuadrës së tij.

NDESHJET E TJERA – Real Sociedad mban hapin e Real Betis. Baskët fituan në transfertë kundër Elche me rezultatin 2-1 dhe e bënë duke përmbysur pas golit që Carillo e shënoi që në minutën e tretë.

Sociedad kishte mundësinë të barazonte në minutën e 20-të, por portieri i Elche ndali Isak nga pika e bardhë e penalltisë. Gjithsesi nuk vonoi goli dhe ishte Sorloth ai që barazoi, kurse Le Normal realizoi golin e fitores.

Espanyol i Keidi Bare mposhti skuadrën e Celta Vigo vetëm në fund, pasi një goli të shënuar nga Wu Lei. Me të njëjtin rezultat likuidoi Osasuna skuadrën e Alaves. Ruben Garcia me penallti nuk shënoi dot, ndërkohë që e shpëtoi Budimir me golin e shënuar në shtesë.

LALIGA – JAVA 31
Osasuna-Alaves 1-0
Shënues:
Budimir 90+2’

Espanyol-Celta Vigo 1-0
Shënues:
Wu Lei 89’

Elche-Real Sociedad 1-2
Shënues:
Carillo 3’ / Sorloth 31’, Le Normand 39’

Levante-Barcelona 2-3
Shënues:
Morales (pen.) 52’, Melero (pen.) 83’ / Aubameyang 59’, Pedri 63’, L. De Jong 90+2’

Foto: FC Barcelona, Twitter

You may also like