Letra emocionuese, Interi përlot me lamtumirën për Eriksen

by admin
Spread the love

Lajmi kishte disa ditë që ndihej në ajër, por tashmë ka mbërritur zyrtarizimi. Christian Eriksen nuk është më lojtar i Interit. CON-i, në fakt nuk e ka lejuar të luajë më në Itali, pas problemeve me zemrën.

Prandaj, ish-ylli i Tottenham ka ndërprerë kontratën me zikaltrit dhe mund të “martohet” me Odense, një klub që tashmë po e pret për rifillimin e stërvitjeve, ose mund të zgjedhë Ajax, skuadra që e ka “shenjtëruar” përfundimisht.

Ja deklarata e klubit zikaltër me këtë rast: “FC Internazionale Milano njofton se ka arritur një marrëveshje për përfundimin konsensual të kontratës së Christian Eriksen. Klubi dhe e gjithë familja zikaltër e përqafojnë lojtarin dhe i urojnë atij më të mirën për të ardhmen.

Christian po largohet, por një lidhje e fortë dhe e pazgjidhshme do të mbetet mes nesh. Momentet më të mira, golat dhe fitoret, përqafimi i tifozëve jashtë “San Siro” në festimin e titullit; gjithçka do të mbetet gjithmonë e fiksuar në historinë e zikaltërve”.

Pastaj, klubi zikaltër ka publikuar edhe një letër emocionuese drejtuar Eriksen: “Ne ende e ndiejmë atë emocion të përzier me pritshmërinë e madhe. Kur je duke pritur diçka të bukur, që tashmë e di se do të jetë aq e bukur, thuajse dëshiron të presësh edhe pak, për ta shijuar më shumë.

28 janar 2020, ti mbërrite në familjen zikaltër. Aty ku klasi takohet me elegancën. Christian Eriksen dhe Interi nuk mund të ishte ndryshe. Maestro kujtohet me magjinë e tij në mes të mesfushës sonë. Zhurma e topit në traversë përzihet me një ‘ohh’ habie në derbin e parë, me një goditje dënimi nga larg.

Në atë moment të gjithë tifozët e Interit u ndjenë të qetë, duke e ditur që Christian kishte veshur ngjyrat zikaltër. Kaq mjaftoi dhe futbolli rrodhi natyrshëm në këmbët tuaja, si muzika e shkruar nga një kompozitor.

Golat e papritur, si ai direkt nga një goditje këndi në Napoli, gëzimet dhe zhgënjimet në atë verë shumë të gjatë 2020, klas, cilësi dhe magji. Goditja e lirë në derbin e Kupës së Italisë, një moment ikonik në historinë e fundit të zikaltërve.

Një gol sa i bukur, aq edhe i rëndësishëm, jo vetëm për kalimin e turit, por edhe për ta rikthyer energjinë në histori, atë të Christian dhe Interit, që është forcuar gradualisht, ndeshje pas ndeshjeje. Prej atij momenti Christian dhe Interi morën njëri-tjetrin për dore dhe vazhduan së bashku, ndeshje pas ndeshjeje, në ndërtimin e kryeveprës trengjyrëshe (titullit).

Një përpjekje ekipore, në të cilën Eriksen kontribuoi me gjeometri, intuitë, pasimet që lehtësojnë manovrat, asistet. Pastaj jeta rezervon momente të pamendueshme, të bën të merrni rrugë që nuk i prisnit. Në heshtje dhe me shpresë, mendimet e të gjithë tifozëve të Interit dhe të gjithë sportdashësve kanë qenë gjithmonë me Christian pas incidentit në Europianin e kësaj vere.

Të të shihnim sërish në ‘San Siro’, në përqafim me kolegët kampionë të Italisë, ishte fryma e gëzimit, që do ta mbajmë në sirtarin e gjërave të bukura e të çmuara, për të mos u tretur kurrë. Edhe nëse sot ndahen rrugët e Interit dhe Christian, ne e dimë që lidhja jonë do të jetë e fortë dhe e pazgjidhshme”.

You may also like