Lenin, Josip Broz Tito, JNA, Strasho Pinxhur: Kur do të ndryshohen emrat e rrugëve dhe shkollave në Tetovë?

by admin
Spread the love

“Lenin”, “Josip Broz Tito”, “JNA”, “Starsho Pinxhur” këto janë emrat që ende vazhdojnë t’i mbajnë rrugët dhe shkollat e Tetovës. Për t’i ndryshuar ato, këshilli komunal deri tani nuk ka marrë mbështetjen e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së.

Megjithatë mbështetja e tyre nuk është e patjetërsueshme, pasi të gjithë këshilltarët e partive shqiptare janë Pro dhe i kanë numrat e votave. Liridon Disha nga BDI thotë se në këtë proces do të ishte mirë të përfshihen të gjitha palët.

“Ne si subjekt politik mendojmë se duhet të ketë një zgjidhje, por me përfshirje të të gjitha palëve në këtë proces, që nënkupton edhe të bashkëqytetarëve tanë maqedonas, për shkak se ne nuk mendojmë se është politikisht korrekte të krijojmë majorizim kur na jepet mundësia. Bashkimi Demokratik për Integrim është parti serioze e dalur nga lufta çlirimtare e kombit shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe lufta e popullit shqiptar në vend, nuk ka pasur për qëllim t’i minimizojë të drejtat e komuniteteve tjera, por të krijojë kushte që krahas popullit shqiptar në Maqedoni të kenë të drejta edhe popujt tjerë”, tha Disha.

Përkrahje ofron edhe Alternativa e Afrim Gashit. Këshilltarët e kësaj partie thonë se janë të gatshëm të përkrahin ndryshimet e emrave por kërkojnë të jenë të përshtatshëm.

“Emërtimet e rrugëve, urave edhe objekteve tjera infrastrukturore duhet të jenë emra të personalitete të shquar, qofshin ato historike apo politike, të kulturës, artit, sportit apo, mund të jenë edhe data atë rëndësishme dhe të pasqyrojnë të gjitha komunitetet në komunën tonë dhe ne nuk jemi kundër emërtimeve të këtilla”, u shpreh Faton Selami, këshilltar i Alternativës.

Nga PDSH thonë se deri më tani nuk kanë marr asnjë paralajmërim por, janë pro ndryshimeve.

“Parimisht jemi pro ndryshimit të emrave të rrugëve por, deri më tani nuk kemi marr asnjë informatë nga kryetari i komunës apo kryesuesi i këshillit se për cilët emra bëhet fjalë, prandaj do të ishte e udhës që të formohet një komision ku do përfshihen të gjitha bashkësitë etnike po ashtu edhe të kenë përfaqësues nga partitë politike që janë pjesë e këshillit”, vlerëson Visar Palloshi, këshilltar i PDSH-së.

Për ndryshimin e emrave Kasami para disa ditëve tha se po pret një vendim nga ana e kadastrës dhe më pas do të nisë procesin. Në bazë të ligjit ndryshimet e emrave bëhen me propozim të këshillit komunal në qeveri, ku duhet të merret pëlqim. Më pas këshilli komunal duhet ta vendos në votim dhe pasi të kalojë, i njëjti në afat prej tetë ditësh bashkë me dokumentacionin e nevojshëm dërgohet në regjistrin qendror, të cilët kanë afat kohor prej 15 ditësh që t’i regjistrojnë. Dhe në fund në afat prej tre ditësh njoftohet MPB, kadastra dhe Enti shtetëror për statistikë.

You may also like