Lehtësohet kalimi në Morinë përgjatë 9 muajve të vitit – Shqip

by admin
Spread the love

Qytetarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës, do të kalojnë përmes pikës kufitare të Morinës me procedura të shpejtuara përgjatë 9 muajve të vitit dhe në fundjavat e festave. Më herët kjo periudhë e lehtësimit të lëvizjes ishte në 4 muajt e verës.

Protokolli i rishikuar u firmos në Tiranë nga Ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Është ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, që ka konfirmuar nënshkrimin e marrëveshjes.

“Me homologun Xhelal Svelça nënshkruam marrëveshjen, e cila mundëson lëvizjen me procedura të shpejtuara përgjatë 9 muajve të vitit për qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës në pikën e kalimit të kufitar në Morinë👏👏 “, ka shkruar Balla në Facebook, ndërsa ka publikuar dhe një video.

“Përmes këtij nënshkrimi të këtij protokolli të ri ne do të mundësojmë lehtësimin e procedurave të kalimit, të verifikimit kufitar në pikën e përbashkët Morinë – Kukës për të gjithë periudhën 1 Maj – 30 Shtator dhe 1 Nëntor – 28 Shkurt, pra 9 muaj gjithsej në vit, në ndryshim nga protokolli në fuqi që parashikonte 4 muaj, konkretisht vetëm 1 Qershor deri në 30 Shtator. Gjatë kësaj periudhe të qarkullimit të lehtësuar nuk do të ketë kontrolle pasaportash, karta identiteti për shtetasit, e theksoj për shtetasit e të dy vendeve tona“, tha Balla.

Kurse, ministri Xhelal Sveçla deklaroi se po punohet që qytetarët të mos ndjejnë asnjë kufizim në pikat kufitare.

“Në vazhdimësi po thellojmë bashkëpunimin, jemi të vendosur për më shumë për t’i shërbyer sa më mirë qytetarëve tanë e të jemi sa më efikas në luftimin e krimit në vendet tona. Do të ecim para në marrëveshje të tjera, në mënyrë që qytetarët tanë të mos t’i ndjejnë në asnjë moment kufizimet, as mos ta dinë ku ndodhen realisht, por që janë të mirëseardhur në Kosovë apo Shqipëri, në sezonin veror apo dimëror. Me qasjen burokraci zero, të punojmë që bashkëpunimi të jetë në nivelet më të larta. Edhe Policitë tona të bashkëpunojnë sikurse bashkëpunojnë Departamentet brenda policisë”, u shpreh ministri Sveçla.

Gjatë vitit 2023 janë regjistruar në hyrje përmes kësaj pike kalimi 1,445,204 shtetas shqiptarë dhe 4,430,161 shtetas të huaj.

You may also like