Ky është 24-vjeçari që sulmoi me thikë shkrimtarin Selman Ruzhdie. Momenti nga arrestimi

by admin
Spread the love

Policia e Nju Jorkut ka identifikuar autorin e sulmit me thikë ndaj shkrimtarit të njohur Salman Rushdie. Siç u bë e ditur, bëhet fjalë për 24-vjeçarin Hadi Mattar, banues në New Jersey.

Sipas raportit të policisë, sulmuesi nxitoi në skenë ndërsa Rushdie po përgatitej të mbante një fjalim në një ngjarje të Fondacionit Chotokwa dhe goditi me thikë në qafë autorin 75-vjeçar, i cili u rrëzua në tokë.

Sulmuesi është imobilizuar nga kalimtarët e rastit, para se të arrestohej nga policia. Ende nuk dihet motivi i sulmit, ndërsa policia e Nju Jorkut tha se nuk ka pasur të dhëna për kërcënime të mundshme para ngjarjes konkrete.

Salman Rushdie u transportua me helikopter në spital dhe iu nënshtrua një operacioni prej disa orësh. Ai mbetet i intubuar, rrezikon të humbasë shikimin në njërin sy, ka pësuar dëmtime të rënda nervore në njërën dorë dhe mëlçi, tha agjenti i tij, Andrew Wiley.

“Lajmet nuk janë të mira. Salman ndoshta do të humbasë shikimin në njërin sy; nervat në dorën e tij janë prerë; dhe mëlçia e tij është goditur me thikë dhe dëmtuar”, tha zoti Wiley në një deklaratë me shkrim të bërë prej tij.

Rita Lundman, një endokrinologe, e cila ishte në audiencë dhe nxitoi në vendngjarje menjëherë pasi shkrimtari u plagos, tha se kishte plagë të shumta me thikë, duke përfshirë një në anën e djathtë të qafës. “Trupi i tij në skenë ishte në një pellg gjaku, por ai ishte gjallë”.

Libri “Vargjet Satanike” i shkruar nga Salman Rushdie shkaktoi bujë në disa vende të botës myslimane në vitin 1988, pasi u cilësua se kishte përmbajtje “blasfemuese”. Disa muaj më vonë, lideri fetar suprem i Iranit, Ajatollah Khomeini, nxorri një dekret fetar duke bërë thirrje për vrasjen e Rushdie.

Për disa vite shkrimtari ka qenë i fshehur, pasi kishte frikë për jetën e tij. Qeveria e Iranit njoftoi në vitin 1998 se nuk e mbështet më dekretin fetar (“fatfa”), por organizatat ekstremiste myslimane ofruan një shpërblim prej miliona dollarësh për këdo që vriste shkrimtarin me origjinë indiane.

Rruga Press

You may also like