Kuvendi miratoi ndryshimet e ligjeve për ndërmarrjet publike dhe për sigurim në rast të papunësisë

by admin
Spread the love




Në seancën e sotme të 95-të Kuvendi i miratoi Propozim-ligjin e plotësuar për kërkesat teknike të produkteve dhe vlerësimin e përputhshmërisë, propozim-ligjet për ndryshimin e Ligjit për ndërmarrjet publike dhe të Ligjit për punësim dhe sigurim në rast të papunësisë, si dhe Propozim-ligjin për shndërrimin e kërkesave të Republikës së Maqedonisë së Veriut në bazë të detyrimeve të paguara ndaj kreditorit të huaj në depozitë të përhershme në ndërmarrjen publike “Sistemi i kolektorit”.

Pas kësaj, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, e ndërpreu seancën dhe paralajmëroi se për vazhdimin e saj do të informojë në mënyrë shtesë.

Paraprakisht, Kuvendi ka përcaktuar rendin e ditës të seancës së 95-të, por debati nga pika e parë në pikën e gjashtë është shtyrë, sepse siç ka theksuar Xhaferi, nuk janë plotësuar kushtet për hapjen e diskutimit për to, kështu që do të shqyrtohen kur do të ketë kushte.

Nga rendi i ditës u tërhoq pika që ka të bëjë me Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e popullsisë nga sëmundjet infektive me kërkesë të deputetes Dafina Stojanoska nga VMRO-DPMNE, e cila ka shpjeguar se ky propozim-ligj projektligj është i paqartë, i pasaktë, i nxituar dhe me keqpërdorim të flamurit evropian. Propozimi i saj u pranua nga shumica e deputetëve.

U pranua edhe propozimi i deputetes së VMRO-DPMNE-së, Angelinka Petkova që të vendoset në shqyrtim në seancën e 95-të të Propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen sociale, me procedurë të shkurtuar, i cili ka të bëjë me realizimin e të drejtës së asistentit personal për personat mbi 65 vjeç me pengesa të rënda dhe plotësisht të verbër.


You may also like