Kush janë kandidatët për të marrë fronin e Cosa Nostras: Lufta mes palermitanëve dhe besnikëve të Riina-s

by admin
Spread the love

Matteo Messina Denaro, i cilësuar si bosi i bosëve te Cosa Nostra në Siçili, u kap dy ditë më parë teksa po bënte një vizitë në një klinikë private në Palermo, pak metra nga komisariati i policisë.

Por tani që pas tri dekadash njeriu më i kërkuar në Itali dhe jo vetëm ka një profil të caktuar, organizata mafioze më e njohur ka nevojë për një lider të ri.

Profili i tij nuk është i thjeshtë, nga momenti që kandidatët e mundshëm jo vetëm që fshihen prej vitesh, por edhe pse tashmë Cosa Nostra është ndarë në dhjetëra dhe ndoshta qindra familje që kontrollojnë territore gjithmonë e më të vogla, bashkëpunojnë mes tyre, por janë gjithmonë e më shumë skeptik mbi një lidership të mirëfilltë.

Messina Denaro ishte ndoshta personazhi i fundit që lidhte mafien tradicionale të lidhur me bosat si Toto Riina dhe Bernardo Provenzano, me situatën e sotme, aq të fragmentizuar.

Sipas autoriteteve antimafia italiane, në 2018 familjet më të mëdha, kishin tentuar të zëvendësonin Messina Denaro, i cili nuk kishte prejardhjen nga zona e Palermos që gjithmonë ka dominuar Cosa Nostra, me bosin Settimo Mineo, i cili u arrestua pak më vonë, diçka që mbajti ende Messina Denaron në fuqi.

“Sepse – ka shpjeguar disa herë prokurori i ri i Palermos, Maurizio de Lucia – klanet palermitane nuk do të pranonin kurrë të drejtoheshin nga një jopalermitan. Aq më tepër një trapanez”. Ata tentuan të rikthenin Kupolën drejtuese që u zhduk nga Toto Riina, por me arrestimin e Settimo Mineos kjo ëndërr u shua.

Kandidatët e sotëm identifikohen në disa elemente të gjeneratës së vjetër dhe disa të rinj ambiciozë.

I pari është Giovanni Motisi, ose i njohur me nofkën Pacchione, “trashaluqi”, i cili është zhdukur nga viti 1998 dhe nëse është gjallë gjallë do të ishte rreth 60 vjeç. Bosi i klanit Pagliarelli, Motisi filloi karrierën e tij si killer i preferuar i superbosit Toto Riina.

Nga gjenerata e vjetër shpresa ka edhe Stefano Fidanzati, i klanit me të njëjtin emër që kontrollojnë narkotrafikun e Cosa Nostra, duke ndërtuar një perandori që tejkalon Palermon dhe Siçilinë, dhe ka baza në Milano dhe jashtë shtetit.

Giovanni Motisi dhe Giuseppe Auteri

Nga të rinjtë, spikasin Giuseppe Autieri, i rritur nën hijen e bosit Calogero Lo Presti, arkëtari i një prej klaneve më të pasura të Palermos.

Nga të rinjtë shquhet edhe Sandro Capizzi, djali i bosit Benedetto Capizzi i klanit të Santa Maria di Gesu, klani i armikut të madh të Toto Riinës, “princi” Stefano Bontate, një nga personazhet më interesante të Cosa Nostra, i masakruar në vitin 1981 nga klani i Korleonezëve.

Nëse do të ketë një shef të ri të Cosa Nostras do të jetë njëri nga këta, por është shpejt për ta thënë. Por një gjë është e sigurtë: burrat e nderit nuk do të heqin dorë nga ëndrra antike, ringjalljen e Kupolës.

You may also like