Kurti takoi pjesëtarë të senatit francez, u kërkon mbështetje për anëtarësim në KiE e NATO

by admin
Spread the love

Kryeministri i vendit, Albin Kurti i ftuar nga ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, në rezidencën franceze në Prishtinë, mbrëmë takoi një delegacion nga senati francez, anëtarë të komisionit për punë të jashtme dhe mbrojtje, të përbërë nga senatorët Hélène Conway-Mouret, Michelle Gréaume, Olivier Cigolotti dhe administratori i komisionit të punëve të jashtme, mbrojtje dhe forca të armatosura, Benoît Heurtel.

Kryeministri Kurti kërkoi mbështetjen për mundësitë e rritjes dhe avancimit të aktiviteteve të përbashkëta ushtarake, si dhe mbështetje diplomatike për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s dhe në BE.

Tutje, Kurti falënderoi senatorët francezë për mbështetjen që Republika e Francës i ka dhënë Kosovës përgjatë gjithë etapave, nga çlirimi, pavarësimi, e deri te shtet ndërtimi dhe konsolidimi ndërkombëtar teksa i informoi delegacionin francez rreth zhvillimeve në Kosovë, çështjes së dialogut me Serbinë, si dhe rreth sfidave të aspektit të sigurisë, që kërcënojnë rajonin dhe vendin tonë, njofton Klankosova.tv.

Senatorët francezë u shprehën të kënaqur për progresin që Kosova ka arritur në shumë fusha sidomos në fushën e sundimit të ligjit, rritjes së transparencës dhe forcimin e demokracisë. Ata si përfaqësues të partive të ndryshme politike në kuadër të senatit francez, theksuan se do të jenë të bashkuar në mbështetje të rritjes së bashkëpunimit ndërmjet Francës dhe Kosovës, me fokus në fushën e ekonomisë, energjisë, mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe mjedisit.

Gjatë takimit, po ashtu u diskutua edhe për sfidat aktuale të sigurisë në nivel global, agresionin dhe invazionin ushtarak rus ndaj Ukrainë dhe pasojat e tij për ekonominë dhe sigurinë e kontinentit.

 

 

You may also like