Kurti premton 200 milionë euro investime për të përmirësuar infrastrukturën e futbollit – Shqip

by admin
Spread the love

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetin social Facebook është zotuar se Qeveria e tij do të bëjë investimin e plotë 200 milionë eurove për të përmirësuar infrastrukturën e futbollit në Kosovë.

Tashmë dihet se stadiumet në Kosovë nuk janë në gjendjen më të mirë të mundshme, madje ka plotë qytete anembanë vendit që nuk e kanë një të tillë që i plotëson kushtet elementare për lojë.

Për këtë sipas Kurtit, do të investohet në qytete të ndryshme si Pejë, Gjilan, Gjakovë, Prizren, Malishevë, Ferizaj, Vushtrri, Kamenicë, Podujevë dhe Drenas.

“200 milionë euro për transformim rrënjësor të infrastrukturës së futbollit.

Jemi të vendosur, stadiumet po bëhen. Me këtë vëllim, buxhet e seriozitet nuk është trajtuar asnjëherë futbolli.

Kemi nisur rindërtimin e tërësishëm të fushës së stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Punimet vazhdojnë në stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë. Për përfundimin e punimeve në stadiumin e qytetit të Gjakovës kemi zotuar nëntë milionë euro. Po hartohen projektet për renovimin e stadiumit të Pejës dhe ndërtimin e stadiumit të ri të Ferizajit.

Për stadiumin e Gjilanit po zhvillohen procedurat e prokurimit për zbatimin e punimeve, ndërsa shumë shpejt nisim procedurat për fazën e fundit të punimeve në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren.

Punimet janë duke vazhduar edhe në stadiumet e Malishevës e Shtimes, si dhe në fushat ndihmëse në Bërnicë, Gjilan, Raushiq, Studençan, Komoran dhe Kllokot.

Janë shpallur procedurat për hartim të projekteve për stadiumet e reja të Suharekës dhe Rahovecit.

Pjesë e planit tonë pesë-vjeçar është edhe renovimi i stadiumeve në Vushtrri, Kamenicë, Mitrovicë (Riza Lushta), Podujevë dhe Drenas.

Vlera totale e investimeve tona në infrastrukturën e futbollit është afër 200 milionë euro. Gjatë këtij viti nisim procedurat për stadiumin nacional të Kosovës.

Plani ynë pesë vjeçar për infrastrukturën e futbollit është dakordim mes qeverisë, komunave dhe Federatës së Futbollit. I njëjti i është prezantuar edhe FIFA-s dhe UEFA-së dhe mbështetet nga ta”, ka shkruar Kurti në Facebook.

You may also like