Kurti pjesë e ceremonisë së transferimit të autoritetit të drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, NALT – Shqip

by admin
Spread the love

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e transferimit të autoritetit të drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, NALT, ku u bë kalimi i detyrës nga Gjenerali Hammerstein tek Gjenerali Nawrat.

Në fjalën e tij, Kurti shprehu se “Një demokraci e re dhe në rritje ndërtohet nga kontributet e shumë njerëzve dhe prandaj është gjithmonë kënaqësi të veçojmë ata që kanë kontribuar për këtë. Një shembull i tillë, është vepra instrumentale e Gjeneralit Hammerstein”.

Duke veçuar kontributin dhe punët frytdhënëse të zhvilluara nga ai, tha se Gjenerali Hammerstein ka vepruar në një kontekst kyç, e ku dhe puna e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Kurti vlerësoi dhe rolin thelbësor të NATO-s dhe mbështetjen e saj ndaj Kosovës: “Gjatë 12 muajve të fundit, integriteti ynë territorial dhe paqja e përgjithshme, janë sfiduar nga forcat destabilizuese, të cilat kanë kryer veprime terroriste dhe kriminale. Vizioni, disiplina, profesionalizmi dhe integriteti, durimi, komunikimi dhe bashkëpunimi ynë, na bënë fitimtarë për sigurinë që nuk lë askënd pas dhe sundimin e ligjit që nuk privilegjon askënd”, tha kryeministri.

Ai e përfundoi fjalën e tij duke nënvizuar se Zyra e Kryeministrit qëndron si një aleate e palëkundur e NATO-s, si dhe duke ritheksuar mirënjohjen për shërbimin dhe kontributin e Gjeneralit Hammerstein dhe shprehur mirëseardhjen për gjeneralin Nawrat.

You may also like