Kurti pas takimit me Escobarin e Lajçakun: Jemi të vendosur që integriteti e sovraniteti të mbesin të pacenuara

by admin
Spread the love

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur vendosmërinë që sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës të mos cenohet nga askush.

Kryeministri Kurti, në konferencën e përbashkët pas takimit me emisarët për dialog, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak, tha se është i gatshëm që t’iu përgjigjet të gjitha kërkesave dhe nevojave të qytetarëve të Kosovës, edhe të qytetarëve serbë, duke u bazuar në praktikat më të mira aktuale edhe të Kosovës, por edhe të Bashkimit Evropian.

Por, Kurti ka theksuar se janë të vendosur se kushtetutshmëria, integriteti territorial, sovraniteti dhe ligjshmëria të ngelen të pacenuara nga çfarëdo përpjekje e dikujt. Megjithëse nuk e përmendi, aludimi është i qartë kundër formimit të Asociacionit të Komunave Serbe – për çka po insiston BE-ja, por edhe ShBA-ja.

“Unë jam kryeministër i të gjithë qytetarëve pa dallim, prandaj jam i gatshëm që t’iu përgjigjem të gjitha kërkesave dhe nevojave të qytetarëve të Kosovës, edhe të qytetarëve serbë, me ç’rast do të marrim praktikat më të mira aktuale edhe të Kosovës, por edhe të Bashkimit Evropian, e duke pasur në vëmendje edhe praktikat dhe mënyrat të cilat i zbaton Serbia sepse nuk duhet të kemi askund qytetarë apo komunitet që janë të privilegjuar e diku tjetër të diskriminuar”, tha Kurti gjatë konferencës së përbashkët për medie.

Kurti tha se i ka njoftuar Escobarin dhe Lajçakun për reformat në ekonomi dhe drejtësi; si dhe me përpjekjet e Qeverisë për ta luftuar krimin dhe korrupsionin.

Kurti ka shtuar se Qeveria po e menaxhon edhe pandeminë, duke theksuar se kanë arritur që 60 për qind e popullsisë të vaksinuar.

“Kemi shënuar në vitin e kaluar 10 mijë vende pune të reja dhe kemi pasur rritje ekonomike prej 9.9 për qind sipas Bankës Qendrore të Kosovës, rritje të të hyrave tatimore, rritje të buxhetit dhe gjithashtu rritje prej afër 60 për qind të investimeve të huaja. Jemi të vendosur t’u shërbejmë të gjithë qytetarëve pa dallim. Qeveria e Kosovës e mbështetë dhe është e angazhuar për procesin e bisedimeve në Bruksel”, ka thënë ai.

Më herët gjatë ditës, Escobar dhe Lajçak u takuan me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë takimit tha se shteti është i përkushtuar për dialog që ka në qendër njohjen reciproke, duke theksuar se një marrëveshje për njohje reciproke nuk duhet të prekë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës.

“Është tashmë e qartë se Serbia po e bllokon progresin në dialog nëpërmjet qasjes së saj jokonstruktive”, tha Osmani, sipas një njoftimi të lëshuar nga zyra e saj.

Sipas njoftimit, Osmani tha se pret që të ketë trajtim të barabartë të palëve në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku evropian.

Presidentja Osmani po ashtu citohet të ketë thënë se Serbia po vazhdon të mos zbatojë marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut dhe paraqet pengesa sa herë që ka takime të organizuara në kuadër të këtij procesi.

You may also like