Kurti: Lidhja e Prizrenit me Tetovën jashtëzakonisht e rëndësishme për qytetarët

by admin
Spread the love

Projekti i lidhjes së Prizrenit me Tetovën ishte në qendër të diskutimit në mes të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe kryetarit të komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj.

Kurti e cilësoi si jashtëzakonisht të rëndësishëm për qytetarët e po ashtu edhe për ndërmarrësit.

Kjo marrëveshje është nënshkruar nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut, në shtator të vitit 2021.

“Ka një dakordim për opsionin nga studimi i fizibilitetit me tunel prej 6.4 kilometrave. Me ç’rast nga përafërsisht 15 kilometra në të dy hyrje daljet e tunelit të ardhshëm do të mund të lidhet Prizreni me Tetovën e Tetova me Prizrenin, si një aks jashtëzakonisht i rëndësishëm”, tha Kurti.

Kurti dhe Totaj, po ashtu diskutuan edhe për dy memorandumet e bashkëpunimit që tashmë i kanë Qeveria me Komunën, njëra për teleferikun dhe tjetra për rrugët lokale në Zhupë.

“Gjithashtu kryetarin Totaj e njoftova se në javën që vjen do të dërgojmë edhe qarkoren e dytë për buxhetin e vitit 2024. Së bashku do të shkojmë që të vizitojmë sa më afër që mundemi vendin ku do të jetë dalja e tunelit, në Struzhë, që më pastaj do të lidhet me rrugë deri tek pjesa jugore, juglindore e daljes së Prizrenit në autostradë, në Vlashnje, që përbën rrugën e cila e lidhë në të ardhmen Prizrenin me daljen e tunelit”, theksoi i pari i Qeverisë së Kosovës përcjell Klankosova.tv

“Në bazë të parallogaritjeve që janë bërë kostoja e gjithmbarshme do të jetë rreth 200 milionë euro, ku rreth 150 milionë euro janë për tunelin, që është përafërsisht 600 metra më i gjatë sesa ai në Kalimash, ndërkaq rreth 50 milionë euro do të kushtojë rruga në të dy anët e tunelit që lidhë këto dy qytete shumë të rëndësishme edhe për aktualitetin, por që kanë përplot histori, kulturë e art, siç janë Prizreni e Tetova”, shtoi ai.

You may also like