Kurti: “Katana” do të studiohet në gjithë kompleksitetin e profilit të tij

by admin
Spread the love

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka përkujtuar heroin Agim Ramadani, në 24 vjetorin e rënies.

Kurti ka kujtuar shkeljen e kufirit nga Ramadani si një ndër imazhet me të njohura të luftës në Kosovë teksa thotë se ai gjest ishte simbol politik i një strategu që me bashkëluftëtarët e tij, kishte organizuar sulmin dhe shembjen e kufirit ndarës me Republikën e Shqipërisë, nisur me aksionin e 9 prillit 1999, njofton Klankosova.tv.

“Një këmbë e stërvitur ushtarake që shkelë mbi një gur kufiri, është një nga imazhet më të njohura të luftës në Kosovë. Është këmbë e ushtarëve të UÇK-së, të komanduar nga Agim Ramadani, Komandant i Brigadës 138 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shkelur gurin me mbishkrimin SFRJ (Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë), që për dekada të tëra e kishte shenjuar kufirin e vendosur padrejtësisht mes shqiptarëve”.

“Ky veprim i Komandant Katanas dhe ushtarëve të tij nuk ishte thjesht një aksion operativ prej ushtaraku, por edhe një gjest i kulluar simbolik politik, i një strategu që me bashkëluftëtarët e tij, kishte organizuar sulmin dhe shembjen e kufirit ndarës me Republikën e Shqipërisë, nisur me aksionin e 9 prillit 1999” ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti, mes tjerash, thotë se trashëgimia ushtarake, politike dhe artistike e Agim Ramadanit do të studiohet dhe kujtohet në gjithë kompleksitetin e profilit të tij.

“Në ditën e tretë të luftimeve të Betejës së Koshares, më 11 prill 1999, Agim Ramadani ra dëshmor në përballje me forcat serbe. Brigada e komanduar prej tij, mori emrin e komandantit të saj: Brigada 138 “Agim Ramadani”, kurse emri i këtij luftëtari dëshmor, u bë sinonim për gjithë Betejën e Koshares. I kthyer nga Zvicra ku kishte qenë i strehuar si emigrant politik, Agim Ramadani kishte hyrë në Kosovë në qershor të vitit 1998, duke iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai kishte lënë pas bashkëshorten Shukrijen, dy djemtë Jetonin dhe Edonin, si dhe vajzën Laurinën”.

“Sot bëhen 24 vite nga rënia dëshmor e Agim Ramadanit, trashëgimia ushtarake, politike dhe artistike e të cilit vazhdon ende të na befasojë, teksa shohim fotografitë, poezitë, pikturat dhe dorëshkrimet e tij. Poet, piktor, aktivist politik, ushtarak dhe patriot me shpirt artisti, Agim Ramadani do të studiohet dhe kujtohet në gjithë kompleksitetin e profilit të tij. Lavdi Agim Ramadanit dhe të gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës!”, ka shkruar Kurti.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

You may also like