Kursi i FSHF për trajnerin e përgatitjes atletike nis në janar, kriteret që duhen për t’u regjistruar

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë së shpejti kursin e radhës për trajnerët e përgatitjes atletike, që do të udhëhiqet nga sektori i përgatitjes atletike në Departamentit Teknik.

Ky kurs do të nisë më datën 09 janar 2023 dhe do të jetë i ndarë në katër periudha të ndryshme gjatë vitit e më konkretisht në datat 09-13 janar 2023, 23-27 janar 2023, 06-10 shkurt 2023 dhe 13-17 mars 2023. Kjo është një mundësi shumë e mirë për të gjithë të interesuarit që punojnë në botën e futbollit për t’u kualifikuar profesionalisht përmes një kursi që do të ofrojë të gjithë eksperiencën më të mirë bashkëkohore dhe lektorë me emër.

Trajneri i përgatitjes fizike po bëhet gjithmonë e më shumë një profesion mjaft i kërkuar dhe është një hallkë shumë e rëndësishme për një skuadër në futbollin e sotëm në një kohë që është bërë e domosdoshme për çdo klub që të ketë një specialist të mirëfilltë. Sezonin e kaluar kursi u drejtua nga trajnerët e përgatitjes atletike të Ekipeve Kombëtare, Luigi Febbrari, Luca Laurenti dhe Iris Selimi, pati interesim të madh, ndërkohë që niveli i trajnimit ishte mjaft i lartë në aspektin akademik.

Për t’u regjistruar në këtë kurs të gjithë kandidatët duhet të plotësojnë kriteret dhe dokumentacionin e mëposhtëm:

– Diploma Bachelor e Universitetit Sportit;

– Kandidati duhet të jetë pajisur me raport mjekësor lëshuar nga organi përkatës (e marrë brenda 3 muajve të fundit);

– Dy fotografi pasaporte;

– Fotokopje e ID ose e Pasaportës;

– Numër kontakti/ adresë e-maili.

Kërkesa për regjistrim, duhet të dërgohet përmes postës elektronike në adresën [email protected], përmes postës së zakonshme me konfirmim marrje në adresën Rr. Liman Kaba, Nd 5, Hyrja 1, Njësia Administrative 5, Kodi Postar 1019, Tiranë ose te dorëzohen fizikisht pranë sekretarisë në të njëjtën adresë. Afati i fundit për paraqitjen e kërkesës është data 26.12.2022. Aplikimet që mbërrijnë pas afatit të caktuar nuk do të pranohen.

Ata që pranohen në kurs duhet të paguajnë një tarifë pjesëmarrjeje prej 50000 lekësh. Pagesa kryhet pasi t’ju kemi dërguar faturën përkatëse.

Për çdo informacion në lidhje me aspektet logjistike dhe organizative të Kursit të interesuarit mund të kontaktojnë Sekretarinë e Shkollës tek adresa e postës elektronike: [email protected].

You may also like