Kukësi fiton ndaj Bylisit/ Kastrioti mund me përmbysje Teutën që mbetet në vendin e fundit

by admin
Spread the love

Kukësi mundi 2-0 Bylisin në shtëpi, duke regjistruar kështu fitoren e dytë radhazi në shtatë javë kampionat.

Verilindorët shënuan nga një gol për pjesë teksa ai që hapi llogaritë e sfidës ishte Tiago Ferreira në minutën e 23-të, ndërsa në pjesën e dytë, në minutën e 60-të Shqiprim Taipi realizoi golin e sigurisë dhe të fundit për këtë takim. Në minutat e mbetura Kukësi menaxhoi më së miri avantazhin dhe energjitë, ndërkohë që ballshiotët ishin të pafuqishëm për të ndryshuar fatet e ndeshjes.

Pas kësaj fitoreje verilindorët ngjiten në kuotën e tetë pikëve në vendin e tetë të renditjes të Abissnet Superiores ndërsa nga ana tjetër, Bylisi renditet në vendin e katërt me 11 pikë. Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të javës së shtatë, Kastrioti fitoi me përmbysje ndaj Teutës me rezultatin 2-1. Ishin durrsakët ata që kaluan të parët në avantazh me anë të Erando Karabecit, megjithatë krutanët gjetën forcat për të reaguar, madje që në pjesën e parë.

Në fillim ishte Karakaçi ai që vendosi ekuilibrin e golave në fush, ndërsa Morbeck përmbysi shifrat në 2-1 ende pa u sinjalizuar mbyllja e pjesës së parë. Në të dytën, Kastrioti ruajti avantazhin dhe mori një trepikësh me shumë vlera duke u ngjitur në kuotën e nëntë pikëve teksa mban vendin e shtatë. Sakaq, Teuta vijon me periudhën negative ndërsa ende nuk ka provuar shijen e fitores në këtë sezon duke u renditur në fundin e tablës me vetëm 4 pikë pas 7 javësh kampionat.

 

 


Top Channel

You may also like