KUJDES: Qytetarëve u ndalohet me rregullore shkëputja e kontratave me operatorët kabllorë

by admin
Spread the love

Një Rregullore e Autoritetit Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP) po iu jep të drejtë operatorëve kabllorë, në çështjen e  pamundësisë së shkëputjes së kontratave me konsumatorët para kohe.

Sipas Rregullores në të cilën po thirren këta
operatorë, konsumatorët mund të shkëpusin kontratat me operatorët vetëm pas
nëntë (9) muajve të parë prej datës kur është nënshkruar kontrata mes palëve,
dhe kurrsesi para kësaj periudhe.

Pas kalimit të nëntë muajve të parë,
konsumatorët janë të lirë t’i shkëpusin kontratat pa u ndëshkuar nga
operatorët, përcjell Buletini Ekonomik.

Ndërkaq, në rastet kur kontrata kërkohet të
shkëputet para 9 muajve të parë, atëherë në bazë të rregullores së ARKEP-it,
operatorët kabllor gëzojnë të drejtën e kërkimit të kompensimit të dëmit për
shkëputjen e parakohshme të kontratës.

Kjo e drejtë iu jepet atyre përmes nenit 5,
pikës 5.7 të “Rregullores për Kontratat, Transparencën dhe Publikimin e
Informatave dhe Masave Tjera Mbrojtëse Për Përdoruesit Fundorë për Ofrimin e
Rrjeteve dhe Shërbimeve Publike të Komunikimeve Elektronike” të ARKEP-it, në të
cilën thuhet se:

“5.7 -Ndërmarrësi mund të kërkoj kompensimin e
dëmit për shkëputjen e parakohshme të kontratës gjatë nëntë (9) muajve të
parë”.

Mirëpo, edhe ky ndëshkim apo kompensim i dëmit
nuk mundet kurrsesi të tejkalojë tarifën e parapagimit mujor për periudhën prej
nëntë (9) muajve pas hyrjes në fuqi të kontratës, me përjashtim të rasteve kur
përdoruesit fundor i ofrohen pajisje fundore, atëherë zbatohen dispozitat e nenit
9 të Rregullores.

Në ndërkohë, konsumatorët e secilit rrjet të
shërbimeve kabllore kanë të drejtën e plotë t’i shkëpusin kontratat me ta pa u
ndëshkuar, nëse operatori e paralajmëron paraprakisht klientin rreth
modifikimit të kushteve të kontratës jo më vonë se 30 ditë para hyrjes në fuqi
të këtyre ndryshimeve. E në rast të mospajtimit me ndryshimin e kushteve nga
operatori, parapaguesi pra, konsumatori, ka të drejtë që pa asnjë pasojë ta
shkëpusë kontratën në fjalë, edhe pse është para kohe.

Gjithashtu edhe në rastet e rritjes së
tarifave, konsumatorët kanë të drejtë të shkëpusin kontratën pa u ndëshkuar
deri në ditën e fundit të muajit pas pranimit të faturës së parë si rezultat i
këtyre ndryshimeve.

Në nenin 5, pikat 5.1, 5.2, 5.3 të kësaj
rregulloreje të ARKEP-it përkufizohet kështu:

5.1. Parapaguesit kanë të drejtë që të
shkëpusin kontratën e tyre pa u ndëshkuar pas paralajmërimit për modifikim të
kushteve të kontratës të propozuara nga ndërmarrësit që ofrojnë shërbime
dhe/ose rrjete të komunikimeve elektronike.

5.2 Parapaguesit duhet të informohen për të
gjitha ndryshimet e propozuara në kushtet e kontratës jo më vonë se tridhjetë
(30) ditë para hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve. Në rast të mospajtimit me
ndryshimet e kushteve, parapaguesi ka të drejtë që pa asnjë pasojë të shkëputë
kontratën.

5.3 Në rast të rritjes së tarifës, parapaguesi
ka të drejtë të shkëpus kontratën pa u ndëshkuar deri në ditën e fundit të
muajit pas pranimit të faturës së parë si rezultat i këtyre ndryshimeve.”

E njëjta rregullore e ARKEP-it, po ashtu
saktëson edhe kohëzgjatjen e kontratave duke mbështetur kështu ato prej vetëm
prej 24 muajsh, përkatësisht 12 muajve. Pra, te operatorët kabllor në vend nuk
ekziston mundësia e një kontrate me kohëzgjatje më pak se 12 muaj apo
njëvjeçare.

Përveç kësaj, nga e njëjta rregullore e
ARKEP-it del edhe rregulla tjetër rreth kompensimit të ndaljes së shërbimeve,
që asnjë operator në vend nuk e zbaton. Kështu, në rastet e ndërprerjes së
shërbimeve nga operatorët së paku për një ditë për konsumatorin, atëherë
ndërmarrësi apo operatori kabllor është i detyruar ta kompensojë për dy ditë të
tjera përdoruesin e shërbimeve që i ofron ai. Kompensimi i tillë sipas
Rregullores, mund të bëhet në formë të rimbursimit ose duke zgjatur validitetin
varësisht nga lloji i shërbimit ose i pakos. /Buletini Ekonomik/

You may also like