Kryeministri norvegjez: Dialogu me talibanët në Oslo ishte i nevojshëm

by admin
Spread the love

Kryeministri norvegjez Jonas Gahr Store i cilësoi të nevojshme bisedimet e zhvilluara në Oslo me përfaqësuesit e Talibanit.

Sipas lajmit të Zërit të Amerikës, Store e tha këtë në një intervistë me gazetarët në Nju-Jork.

Store vuri në dukje se pavarësisht protestave të grupeve të të drejtave të njeriut në Afganistan, bisedimet me talibanët në Oslo më 23-25 janar ishin një domosdoshmëri.

Sipas tij, ftesa e talibanëve ishte një hap i vështirë për qeverinë norvegjeze dhe negociatat ende nuk nënkuptojnë njohjen e legjitimitetit të administratës talibane në Afganistan.

Kryeministri norvegjez i cilësoi bisedimet si “hap i parë” në rrugën për të shmangur një krizë humanitare në Afganistan. Sipas tij, në kuadër të negociatave është mundur që talibanëve t’u përcillen pritjet dhe mesazhet e bashkësisë ndërkombëtare.

Store i quajti gjithashtu bisedimet “të hapura” dhe “serioze”.

Duke folur për situatën humanitare në Afganistan, Store tha se 1 milion fëmijë janë të rrezikuar nga uria dhe gjysma e popullsisë ka nevojë për ndihmë.

Raportohet se në bisedimet e Oslos, të cilat u zhvilluan me dyer të mbyllura, u diskutua për ndihmat humanitare që do të dërgohen në Afganistan si dhe edukimin e grave afgane dhe gjithëpërfshirjen e qeverisë talibane.

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian (BE) për Afganistanin, Tomas Niklasson, i cili u takua me delegacionin talibanas në Oslo, tha se ata theksuan se “në mars, kur fillon viti shkollor afgan, shkollat fillore dhe të mesme duhet të jenë të aksesueshme për vajzat dhe djemtë”.

 

You may also like