Krizën energjetike nuk e nisi Ukraina

by admin
Spread the love
Daut Dauti

Kriza kishte filluar më herët, si rezultat i shumë trendëve të pafavorshëm dhe politikave për zëvendësimin e burimeve energjetike, por agresioni rus në Ukrainë e acaroi më tepër, duke i dhënë dimension gjeopolitik…

Shkruan: Daut DAUTI, Shkup

Lufta në Ukrainë ishte ende larg kur kryeministri shqiptar Edi Rama doli para publikut dhe paralajmëroi se do të pasojë një krizë e rëndë energjetike. Ishte tetori i vitit 2021, pra hiç më pak se pesë muaj para nisjes së agresionit rus ndaj Ukrainës. Nuk ishte ky paralajmërim një profeci e “Baba Vangjës”, por e një kryeministri, i cili para se të dilte para ekraneve, informatat e dorës së parë i kishte marrë nga tubimet dhe takimet me udhëheqësit e institucioneve ndërkombëtare. Nëse nuk gabojmë, Edi Rama ishte ndër të parët udhëheqës ballkanikë që e bëri të njohur këtë. Fill pas tij, për krizën energjetike nisën të flasin edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, ai i Kosovës dhe gjithë të tjerët. Ndoshta të tjerët hezituan për t’ua bërë qytetarëve të tyre këtë lajm dekurajues ose ndoshta donin pak “parapërgatitje” terreni, që të mos përjetohet si një “shok” psikologjik, por “dekonspirimi” i Ramës e bëri të veten.
Ja si kishte qenë një nga lajmet e dhëna më 4 tetor: “Pas tërmetit e pandemisë, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se Shqipëria do të goditet nga një tjetër krizë e rëndë, kësaj radhe energjetike, efektet e së cilës tha se do të ndihen edhe në ekonominë shqiptare”.
Me atë rast, pasqyra shkak-pasojë ishte përshkruar shumë bukur në fjalimin e Ramës që e transmetuan mediat: “Vala goditëse e një tjetër fatkeqësie natyrore, kësaj radhe e kombinuar me faktorë gjeopolitikë dhe manovra tregtare, po vjen drejt Shqipërisë. Në aspektin ekonomik e social ka një energji negative që mund të ketë efekte gjithaq tronditëse, mbi jetën e familjeve, bizneseve, shoqërisë. Kjo është kriza e jashtëzakonshme energjetike, e cila vetëm sapo ka nisur të japë shenjat e saj tejet shqetësuese në tregjet e mëdha të botës, duke nisur nga Kina e Koreja e Jugut, në Amerikë, në Britaninë e Madhe dhe në hapësirën e Bashkimit Europian, e deri në vendet fqinje, si Italia e Greqia.”.
Se ishte një kumt i papritur, kjo nuk diskutohet, por i intonuar vërtet në mënyrë dramatike: do të rriten çmimet e karburanteve dhe gazit, që tashmë ishin rritur edhe ashtu, do të rritet çmimi i energjisë elektrike, e cila madje vështirë do të gjendet në treg, madje edhe nëse gjendet, do të jetë me çmim shumë më të lartë. Një ogur i zi.
Rastësisht ose jo, profetike ose ku të di se çfarë, ishte përmendur edhe aspekti gjeopolitik, por Rama sigurisht nuk e kishte menduar se kjo do të dilte e saktë pas disa muajsh, në mënyrën më të vrazhdë, për ta bërë edhe më të komplikuar krizën energjetike dhe për ta nxjerrë jashtë binarëve “normalë” të “krizimit” lidhur me burimet energjetike në shterje.
Këtë e sjell si fakt për të bërë një lloj qartësimi lidhur me bindjen gjithnjë e më të madhe se faktori kryesor i krizës energjetike është lufta në Ukrainë, që nuk është e vërtetë. Kriza, pra, kishte nisur më herët dhe ishte paralajmëruar me nishanet që ishin shfaqur, si rezultat i trendëve të përgjithshëm me lëndët e energjensëve, por dhe me përpjekjet e botës që për shkak të ngrohjes globale, të bëhet zëvendësimi me lëndë të përtëritshme alternative. Por, shkurti 2022 shkaktoi rrëmujën që botën e vuri në një shkallë më të lartë të sprovës, sidomos vendet europiane, ngase për shkak të pozicionimit kundër Rusisë që e sulmoi Ukrainën, e preu degën në të cilën mbaheshin vendet që vareshin nga gazi rus. Zëvendësimi i këtij gazi nga ndonjë vend tjetër pothuajse e bën mision të pamundur. (Është një çështje e diskutueshme ankesa ndaj ndalimit të gazit nga Rusia pas vendosjes së sanksioneve, sepse ka qenë e pritshme që përgjigja ruse do të ishte e tillë.)
Në kontekst të lojërave gjeopolitike, me një dozë teorish konspirative, pozicionimi parimisht i drejtë i Perëndimit kundër Rusisë dhe sanksionet që iu vunë, ka shkaktuar disproporcion matematikor pasojash: sado që të jenë të mëdha humbjet e Rusisë nga këto sanksione, janë shumë më të mëdha pasojat për ekonomitë e shumë vendeve në nivel planetar, sidomos të atyre të varura nga gazi rus. Zvogëlimi i forcës blerëse me rritjen enorme të çmimeve, me pakënaqësitë sociale që po shpërthejnë në Francë, Gjermani e gjetiu, ku ka shumë elementë nostalgjikë të rrymave të majta që e shikojnë Rusinë si një ish-Bashkim Sovjetik, mund t’u bëjnë presion qeverive që t’i rishikojnë politikat e tyre. Kjo pastaj mund ta vë në pikëpyetje atë unitet të Perëndimit, ta relativizojnë përkrahjen e Ukrainës dhe t’i zbusë akuzat ndaj Rusisë. Edhe pse një kthim i këtillë do të ishte joparimor, shtimi i pakënaqësive mund të imponojë tjetër agjendë, madje edhe ta cenojnë unitetin, duke dyshuar edhe në aleatin e tyre më të madh, SHBA-në, edhe pse kjo do të ishte një aventurë, duke pasur parasysh se Europa në asnjë mënyrë nuk mund t’i bëjë ballë Rusisë pa SHBA-në.
Duket tashmë qartë se situata e krijuar tash pas Ukrainës ka hapur një proces afatgjatë të shkëputjes nga varësia ruse, sepse po dëshmohet se Rusia gazin e saj e ka pasur edhe si një armë të fortë të ndarjes në sfera interesi. Gjermania, për shembull, e cila në kohën e Merkelit ishte bërë e varur në masë të madhe nga gazi rus, pa i menduar pasojat, tash po e pëson keqas. Çkado që të ndodhë me luftën e Ukrainës, shumë vende të botës do të ndërtojnë strategji të re se si të jenë sa më pak të varura nga energjensët e një vendi, i cili nuk e ka vështirë të hyjë në aventura të rrezikshme dhe ta kërcënojë botën. Edhe pse ky do të jetë një proces i vështirë, bota e mësoi leksionin.
Dukej se lufta në Ukrainë po sjell një rrezik edhe për Ballkanin, në dritën e disa tendencave nacionaliste serbe. Madje, shumëkush shikonte një rrezik të “ukrainizimit”, duke pasur parasysh dy vatra potenciale shpërthyese, siç janë Bosnja disfunskionale dhe Kosova me shtetësi të papërfunduar. Bile, edhe retorika dhe veprimet konkrete të disa qarqeve serbe i frynin furtunës. Por, ajo që ndodhi me mbarë Europën, po ndodhë tash edhe me Ballkanin: përpjekjet e Perëndimit për ta mbajtur Ballkanin në gjirin e vet me çdo kusht. Kjo u pa me presionet nga Brukseli dhe Uashingtoni ndaj Bullgarisë për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut, ani se kjo u bë në një farë mënyre të kushtëzuar. Kjo u pa edhe me Serbinë: me gjithë sentimentin prorus të serbëve, me gjithë tolerimin e Vuçiqit për të mos i vënë sanksione Rusisë, BE-ja e ka shtuar presionin për t’i rregulluar marrëdhëniet me Kosovën, tashmë me një propozim gjermano-francez “me njohje, pa njohje” (Serbia të pajtohet me hyrjen e Kosovës në Kombet e Bashkuara, por Serbia të mos e njohë), duke e detyruar edhe zgjedhjen përfundimtare midis BE-së dhe Rusisë. Statistikat tregojnë një të vërtetë, se shoqëria serbe ndoshta nuk është e gatshme ta pranojë si fakt, por që vetvetiu Serbinë e vë në anën e Perëndimit: bashkëpunimi tregtar, eksport-importi i mallrave, investimet… tregojnë një disproporcion të madh midis zemrës së kthyer nga Moska dhe ortodoksia pansllaviste dhe interesit faktik që lidhet me Perëndimin. Përveç disa MIG-ave që i mori dhuratë nga Rusia para disa vitesh, viteve të fundit nga Rusia s’ka ardhur ndonjëfarë kapitali që do ta ngrinte ekonominë serbe.
Sa i përket vetë krizës energjetike, në Ballkan kjo do të zgjidhet në kuadër të potencialeve të veta, sidomos të shfrytëzimit të burimeve që i jep natyra dhe gjeografia, por dhe të arritjeve bashkëkohore në vazhdimin e procesit të dekarbonizmit dhe zëvendësimit me energji nga burime alternative. Ndoshta ky proces u nis me vonesë, gjë që është reflektuar me ngrohjen globale, por vetë ecuritë në hapa në dritën e ashpërsimeve gjeopolitike, tregojnë se vetë fillimi u bë me ngutësi! Bie fjala, pushimi i punës së elektranave bërthamore në Francë ose Gjermani, pas avarisë së centralit japonez në Fukushima, që për pak do të përsëritej si një Çernobil i dytë, mund të jetë një hap i gabuar, sepse pikërisht këto centrale prodhojnë rrymë më të lirë dhe me më pak ndotje. Njësoj vlen edhe për ato vende që kanë pasuri të madhe të qymyrit, e të cilat lehtësisht u kyçën në procesin e dekarbonizimit. Në këtë kontekst, tash kur po shtrenjtohet rryma gjithandej, duket paksa absurde të hiqet dorë nga prodhimi i rrymës prej thëngjilli për ato vende që e kanë, kjo veçmas derisa nuk janë ndërtuar as foltovoltaikë masivë, as prodhues të erës, as diçka tjetër nga lëndë përtëritëse. Për shembull Kosova, u mor vesh se ka ndalesë eksportimi të thëngjillit, edhe pse ka me bollëk edhe për vete edhe për eksport. Me eksportin e vet, ajo mund t’i ndihmojë vendet fqinje që kanë termocentrale, siç është Maqedonia e Veriut dhe përftimi do të ishte për të dyja vendet. Maqedonia e Veriut, në anën tjetër, mund të jetë e vonuar paksa në gjetjen e alternativave, ndoshta dhe për shkak të rregullativës së ngatërruar që e favorizon monopolin e EVN-së dhe të disa prodhuesve, ndërkaq ka potencial për ta amortizuar krizën duke pasur gjithë ato shpate malore, ku ka hapësirë për foltovoltaikë, pasi ka mbi 280 ditë me diell gjatë vitit, por shfrytëzon vetëm 1 për qind(!), ndërkaq lartësitë malore janë të përshtatshme edhe për “propelerë” me erë. Se ka nevojë për ndryshim të rregullative dhe për stimulim sidomos të kompanive që mund ta sigurojnë energjinë elektrike përmes foltovoltaikëve, flet edhe deklarata e një biznesmeni, i cili për nevojat e këtij shkrimi më sqaroi si vijon: edhe po ta prodhojë vetë një sasi rryme për kompaninë, atë duhet t’ia shesë së pari EVN-së, e pastaj ta blejë prej saj me çmim 30 për qind më të lartë! Nëse kërkon ndërtimin e sistemit deri në 1KW, është përgjegjëse komuna, ndërkaq nëse e ke më shumë, duhet të kyçet Ministria e Transportit dhe e Urbanizmit, ndërkaq procedura deri në marrjen e lejes shkon me muaj e ndoshta dhe më gjatë. Në këtë situatë, duket se pikërisht biznesi është më i godituri, edhe për nga çmimet e larta të rrymës, edhe për shkak të kësaj palogjikshmërie.
Një çështje tjetër që e ka imponuar situata, e bile dhe trend, është nevoja e “kthimit prapa”, drejt nacionalizimit të kapaciteteve energjetike, gjë e cila ndodhë në Slloveni, madje edhe në Gjermani në mënyrë parciale.
Si përfundim mund të themi se bota në krizën energjetike hyri si rezultat i rrethanave objektive dhe përshpejtimit pa qenë e gatshme që të gjejë alternativa, kurse lufta në Ukrainë vetëm e ngriti në shkallë më të lartë dhe e ashpërsoi atë, me kontekstin gjeopolitik. Zaten, edhe luftërat e mëparshme në vetvete kanë përmbajtur kontrollin e burimeve energjetike nëpër botë, edhe tash përpjekjet e Rusisë nuk kanë aq lidhje me rrezikimin e rusëve në Ukrainë, siç e propagandon, por vetë, vënien nën kontroll të burimeve të gazit në pjesët aktualisht të pushtuara.

You may also like