Kriza energjetike, telefonat celularë mund të mos funksionojnë në Evropë

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Zyrtarët e industrisë së telekomunikacionit thonë se druhen që një dimër i ashpër do të vërë në vështirësi infrastrukturën e telekomunikacionit në Europë, duke i detyruar kompanitë dhe qeveritë që të bëjnë përpjekje për të zbutur ndikimin e tij.

Aktualisht, sistemet
rezervë që përdoren për të përballuar ndërprerjet e përmasave të mëdha të
energjisë nuk janë të mjaftueshme në shumë vende europiane, sipas katër
drejtuesve në industrinë e telekomunikacionit, duke shtuar kështu mundësitë për
ndërprerje të funksionimit të sektorit të telefonisë celulare.

Vendet e Bashkimit
Evropian, duke përfshirë Francën, Suedinë dhe Gjermaninë, po përpiqen të
sigurojnë vazhdimësinë e komunikimeve, edhe nëse ndërprerjet e energjisë do të
sjellin nxjerrjen jashtë loje të baterive rezervë të instaluara në mijëra
antena celulare që ndodhen në gjithë territorin e këtyre vendeve.

Evropa ka gati gjysmë
milioni antena të larta që shërbejnë për sektorin e telekomunikacionit dhe
shumica e tyre kanë bateri rezervë që zgjasin rreth 30 minuta për të mundësuar
funksionimin e antenave celulare.

Franca

Në Francë, plani i
paraqitur nga organizata e shpërndarëjes së energjisë elektrike Enedis,
përfshin ndërprerje të mundshme të energjisë për deri në dy orë në skenarin më
të keq të mundshëm, sipas dy burimeve për Reuters.

Ndërprerjet e
përgjithshme do të preknin vetëm disa pjesë të vendit, por jo njëkohësisht.
Shërbimet më të rëndësishme, të tilla si spitalet, policia dhe qeveria nuk do
të ndikohen nga këto ndërprerje, thanë burimet.

Qeveria franceze,
operatorët e telekomunikacionit dhe Enedis, një njësi e ndërmarrjes shtetërore
EDF, kanë zhvilluar bisedime lidhur me këtë çështje gjatë verës, sipas qeverisë
franceze dhe burimeve për Reuters.

Federata Franceze e
Telekomunikacionit (FFT), një grup lobimi që përfaqëson Orange, Bouygues
Telecom dhe SFR, e vuri përgjegjësinë mbi Enedis, për pamundësinë e saj për t’u
siguruar që antenat e telekomunikacionit të mos preken nga ndërprerjet e
energjisë.

Enedis tha në një
deklaratë për Reuters se të gjithë klientët e rregullt trajtohen në mënyrë të
barabartë, në rast të ndërprerjeve të jashtëzakonshme të energjisë.

Organizata e
shpërndarjes së energjisë elektrike tha se ishte në gjendje të izolonte disa
pjesë të rrjetit, për të furnizuar klientët me më shumë përparësi, si për
shembull spitalet, komplekset kryesore industriale dhe ushtrinë, si dhe shtoi
që u takonte autoriteteve lokale që të bëjnë pjesë të listës së klientëve
prioritarë edhe infrastrukturën e operatorëve të telekomunikacionit.

Suedia, Gjermania dhe Italia

Kompanitë e
telekomunikacionit në Suedi dhe në Gjermani kanë ngritur gjithashtu shqetësime
për mungesat e mundshme të energjisë elektrike, duke i adresuar këto shqetësime
me qeveritë e tyre respektive, thanë disa burime për Reuters.

Agjencia rregullatore
e telekomunikacionit në Suedi, PTS, po punon me operatorët e telekomunikacionit
dhe me agjencitë e tjera qeveritare për të gjetur zgjidhje. Kjo punë përfshin
edhe bisedimet për atë që do të ndodhë nëse do të ketë kufizime të energjisë
elektrike.

PTS po financon
blerjen e stacioneve të transportueshme të karburantit dhe të stacioneve bazë
celulare, të cilat mund të lidhen me telefonat celularë për të përballuar
skenarin e ndërprerjeve të gjata të energjisë, tha një zëdhënës i PTS.

Agjencia italiane e
lobimit në fushën e telekomunikacionit tha për Reuters se ajo kërkon që rrjeti
celular të përjashtohet nga çdo ndërprerje e energjisë elektrike ose kufizim i
furnizimeve për të ruajtur energjinë, si dhe deklaroi që do ta ngrejë këtë
çështje me qeverinë e re të Italisë.

Ndërprerjet e energjisë rrisin mundësinë që komponentët elektronikë të dëmtohen në rast të ndërprerjeve të menjëhershme të energjisë elektrike, tha në një intervistë drejtuesi i agjencisë italiane të lobimit në fushën e telekomunikacionit, Massimo Sarmi.

/GazetaSinjali/

You may also like