Krenaria: Kurthi i dashurisë për veten

by admin
Spread the love

Krenaria përfshin madhështinë, mendjemadhësinë dhe egocentrizmin, por edhe pasiguritë, frikën dhe zbrazëtinë. Ajo është një kurth i dashurisë ndaj vetes, që verbon ata që bien pre e  lojës së saj

Çfarë është krenaria, dhe mbi të gjitha si janë njerëzit krenarë? Disa mendojnë se ata janë të gjithëpushtetshëm, qëndrojnë shumë më lart se të tjerët dhe se kanë gjithmonë të drejtë. Ata e duan veten aq shumë, sa ju duket se asgjë nuk është në nivelin e tyre, dhe askush nuk mund t’u mësojë diçka të re, sepse ata “e dinë” tashmë.

Krenarët i kanë veshët dhe sytë e mbyllur ndaj gjithçkaje që nuk i përket. Ata janë aq shumë të përqendruar tek vetja, saqë pa e ditur humbasin gjithçka tjetër. Ata tregojnë siguri, por nuk ka njeri më të pasigurt se dikush që beson se ka monopolin e së vërtetës. Këta individë udhëhiqen nga krenaria.

Por çfarë është krenaria?

Sipas psikiatrit spanjoll Enrike Rohas, krenaria është një pasion i shfrenuar ndaj vetvetes, një kurth i dashurisë për veten, një mungesë përulësie dhe kthjelltësie. Është një ndjenjë në të cilën personi e përqendron të gjithë vëmendjen te vetja, pasi e konsideron veten të jashtëzakonshëm, unik dhe shumë lart mbi të tjerët.

Në Krishtërim, krenaria konsiderohet si një nga mëkatet më të rënda. Në Greqinë e lashtë quhej hubris, arrogancë. Dhe ky term përshkruan aktin në të cilin personi sfidoi vullnetin e Perëndive, ose kur ai u përpoq të kalonte kufijtë e njerëzimit të tij dhe mori për këtë ndëshkimin hyjnor.

Ndër shembujt e veprimeve të shkëlqyera mund të citojmë ato të Edipit dhe Prometeut.

Kush është krenar e adhuron veten, e ka idhull, por edhe injoron faktin se të qenit krenar është burimi dhe origjina e shumë problemeve. Në psikologji dhe filozofi, ndryshimi midis arrogancës dhe krenarisë është mjaft delikat.

Disa e konceptojnë krenarinë në kuptimin më pozitiv dhe emocional, si një mjet për të vlerësuar veten dhe të tjerët dhe që shpesh është e lehtë për t’u maskuar. Krenaria ka të bëjë me konsiderimin e vetvetes superior ndaj të tjerëve, dhe për pasojë një krenar ndihet i denjë për respektin dhe admirimin e të tjerëve.

Kur je krenar, të tjerët nuk ekzistojnë për ty. E pra, kushdo që nuk e mban nën kontroll krenarinë e tij rrezikon të shkojë më tej dhe të kultivojë qëndrime dhe sjellje arrogante. Krenaria është një mikeshë e vanitetit, epshit për pushtet, narcizmit dhe egocentrizmit. Gjithçka i përshtatet fort krenarit, i cili është i përqendruar vetëm tek vetja dhe nuk vlerëson mendimet e të tjerëve, sepse është i verbër. Megjithatë, ai ka nevojë për reagime të vazhdueshme për imazhin që projekton tek të tjerët. Por strategjitë që përdor për t’i arritur

ato janë shumë të ulëta.

Pasiguria pas krenarisë

Përveçse është iluzore dhe e zëshme, krenaria është një maskim që fsheh pasigurinë, mungesën e vetëbesimit dhe ndjenjën e inferioritetit. Megjithatë, në disa raste, ajo shfaqet edhe në mënyrë të fshehtë. Në çdo rast, njeriu nuk i sheh gabimet e tij, sepse është i burgosuri i madhështisë së tij.

Një fasadë e shkëlqyeshmërisë që fsheh një frikë të thellë nga të qenit inferior ndaj të tjerëve, dhe që kërkon të mbijetojë dhe të jetë i dashur. Pra prapa krenarisë, fshihet frika: frika nga të mos qënit i aftë, nga të mos qënit të mirë apo se mos nuk njihesh.

Dhe përballë pamundësisë për të pranuar frikën dhe plagët, njeriu krenar mban një maskë. Për këtë arsye, krenaria përdoret për të “balancuar” këto mangësi dhe si një mekanizëm mbrojtës, pasi është e dobishme të refuzosh sesa të refuzohesh. Kështu, krenari nuk i pranon kurrë gabimet e tij, pasi nëse e bën këtë do t’i rikujtojë vetes se ai nuk është aq i përsosur sa mendon se është.

Kësisoj, krenari e ka të vështirë edhe të kërkojë falje, pasi beson se nuk gabon kurrë. Ashtu siç mendon se ka të drejtë edhe kur i nënshtrohet mashtrimit të autoritetit. Megjithatë, krenarët janë shumë të shqetësuar për mendimin dhe vëmendjen e të tjerëve, edhe kur shfaqen indiferentë, prandaj adaptojnë sjellje specifike për ta marrë këtë vëmendje.

Krenaria dhe vetëvlerësimi

Vetëvlerësimi i një njeriu krenar është shumë i paktë, sepse ai zbehet nga pasiguritë, që fshihen mirë nën maskën e krenarisë. Për këtë arsye, kur ndihet i sulmuar, një njeri i tillë  shpeshherë zemërohet, e humbet kontrollin, fyen, vendoset në pozita mbrojtëse ose ndalon së foluri. Një njeri tepër krenar ka pjekurinë emocionale të një fëmije. Krenaria nuk është gjë tjetër veçse një pengesë mbrojtëse për të penguar të tjerët që të perceptojnë frikën, pasiguritë, dobësitë dhe pikat e dobëta.

Përulësia, antidoti i vërtetë

Përballë krenarisë, është e nevojshme që të përvetësoni ndjenjën e përulësisë: pra të mësoni si të bëni një jetë më të thjeshtë, në të cilën mbizotërojnë vlerat më të rëndësishme, si dashuria, thjeshtësia dhe bujaria. Megjithatë, së pari duhet që të hidhni një hap të rëndësishëm, që ka të bëjë me njohjen dhe pranimin se jeni krenar.

Përndryshe, është e pamundur që kjo ndjenjë të nisë të zbehet apo të fillojë të zhduket.

Pasi të pranohet ajo, gjithçka tjetër ka të bëjë me të qenit i sinqertë dhe i hapur me veten: Nga çfarë kam frikë? Nga çfarë kam frikë se mund të ndodhë? Çfarë më bën të vuaj? Pse kam nevojë të njihem nga të tjerët si më i miri?

Ndërkaq, është po aq e rëndësishme të ndryshoni drejtimin e vëmendjes: në këtë botë nuk jam më vetëm unë, por edhe të tjerët. Njeriu duhet të relativizojë rëndësinë e tij dhe të marrë parasysh të tjerët. Për këtë arsye, është e rëndësishme të punoni mbi ndjeshmërinë, duke mësuar të vendosni veten në vendin e të tjerëve, të pranoni kritikat, gabimet dhe defektet tuaja.

Kjo nënkupton se duhet të hiqni qafe gradualisht armaturën mbrojtëse që e mbani veshur prej kaq shumë vitesh, por që gjithashtu ju ka shkaktuar kaq shumë dëme. Kjo do të thotë të ulësh vigjilencën, të njohësh kufijtë e tu, dhe të ndalosh dëshirën për të qenë i madh, sepse në realitet nuk je edhe aq i vogël.

You may also like