Krasniqi propozon që në memorandumin që do të nënshkruhet sërish, të përfshihen edhe dy federata

by admin
Spread the love

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) Ismet Krasniqi ka pritur të ngarkuarin e ri me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë (AJK), Keisuke Yamanaka.

Krasniqi, që shoqërohej nga anëtari i Bordit Ekzekutiv, Agron Mala, duke e përgëzuar Yamanakan për emërimin në këtë pozitë, e njoftoi me sukseset e sportit tonë, me theks të veçantë medaljet e arta Olimpike, dy prej të cilave u fituan vitin e kaluar në Lojërat Olimpike Tokio 2020 nga xhudistet Distria Krasniqi e Nora Gjakova.

Presidenti Krasniqi falënderoi mysafirin edhe për mikpritjen e ngrohtë që Japonia ia bëri ekipit tonë gjatë LO Tokio 2020, derisa i shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e KOK-ut për të thelluar edhe më shumë bashkëpunimin me Ambasadën e Japonisë.

Palët diskutuan edhe për ndërtimin e Qendrës Sportive për zhvillimin e arteve marciale, projekt ky i inicuar nga presidenti Krasniqi në vitin 2018, kur ishte kryetar i Federatës së Karatesë së Kosovës, me ç’rast u pajtuan që bashkërisht edhe me Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport dhe Komunën e Prishtinës të rinisin procedurat për ndërtimin e kësaj qendre.

Krasniqi propozoi që në memorandumin që do të nënshkruhet sërish, të përfshihen edhe Federata e Xhudos e Kosovës dhe Federata e Karatesë së Kosovës.

Nga ana e tij, i ngarkuari me punë në AJK, Keisuke Yamanaka, që shoqërohej nga këshilltari, Arbër Myftari, ka falënderuar presidentin Krasniqi për bashkëpunimin, derisa ka mbetur i impresionuar me rezultatet e arritura nga sportistët tanë, duke veçuar Olimpiadën e mbajtur në shtetin e tij.

Ai ofroi gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtë me KOK-un, në çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me avancimin e sportit të Kosovës.

Lexo lajme interesante

You may also like