Krasniqi prezanton edhe një koordinatore të Kabinetit për Qeverisje të Mirë (VIDEO)

by admin
Spread the love

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka prezantuar sot koordinatoren e Departamentit për Mbrojtje dhe Siguri Kombëtare në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë, Besa Kabashi-Ramaj.

Krasniqi, përmes një videoprezantimi, u shpreh i lumtur se një eksperte për siguri kombëtare dhe mbrojtje do ta udhëheqë njërin prej departamenteve më të rëndësishme të Kabinetit për Qeverisje të Mirë në PDK.

“Besa ka mbi 10 vjet përvojë në fushën e sigurisë dhe çështjeve ndërkombëtare, sigurisë kombëtare, politikave publike, sektorit të sigurisë dhe reformave në fushën e mbrojtjes. Përveç në Kosovë, Besa ka studiuar dhe ka punuar në SHBA dhe Evropë, me ekipe ndërkombëtare dhe ndërkulturore, në fushat e sigurisë kombëtare, reformës në sektorin e sigurisë, si dhe mbrojtjes dhe sigurisë njerëzore. Me përvojën e saj, bashkë me një ekip shembullor brenda Departamentit për Mbrojtje dhe Siguri Kombëtare, Besa do të udhëheqë punën në ofrimin e alternativës sonë për fushat e mbrojtjes dhe sigurisë, që do të jenë ndër fushat prioritare të KQM-së”.

Kabashi-Ramaj tha se siguria kombëtare duhet të jetë baza e shtetit të Kosovës të ndërtuar me mund dhe sakrificë.

“Vetëm së bashku mund të krijojmë një të ardhme të sigurt, një të ardhme që fëmijët tanë ta konsiderojnë ta kenë këtu, në Kosovë, e jo diku larg saj. Prandaj, në ndërtimin e Platformës së Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes, ftojmë dhe presim bashkëpunim të ngushtë, që nga partitë tjera e deri tek shoqëria civile, ekspertët e fushës, partnerët ndërkombëtarë, e mbarë qytetarët e Republikës së Kosovës, shqetësimet e sigurisë të të cilëve do t’i dëgjojmë me vëmendje”.

Besa Kabashi-Ramaj është koordinatorja e dytë e prezantuar nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, disa ditë pas prezantimit të vizionit të Kabinetit për Qeverisje të Mirë që do t’i ketë 15 departamente.

Besa Kabashi-Ramaj është eksperte për siguri kombëtare dhe mbrojtje. Ajo mban titullin Magjistre e Marrëdhënieve Publike dhe Ndërkombëtare, me theks në Studimet e Sigurisë dhe Inteligjencës nga Pittsburgh University dhe Baçelor në Shkenca Politike nga Ouachita Baptist University. Po ashtu, ajo ka diplomuar në Programin Ekzekutiv të Harvard Kennedy School of Government dhe ka studiuar në Qendrën Evropiane për Studime të Sigurisë/Qendrën Marshall.

Ndër vite, Kabashi-Ramaj ka mbajtur pozita kyçe shtetërore në ofrimin e ekspertizës së saj në fushën e sigurisë kombëtare për Qeverinë e Kosovës.

You may also like