Kosovë, jep dorëheqjen Drejtori i Policisë për rastin e përdhunimit të 11-vjeçares

by admin
Spread the love

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka dhënë dorëheqjen nga detyra, pas ngjarjes së rëndë ku një vajzë e mitur 11 vjeçare dyshohet se u përdhunua nga 5 persona në Prishtinë.

Lajmi u bë i ditur nga Ministri i Brendshëm, Sveçla, i cili konfirmon se mes arsyeve të dorëheqjes renditet dhe ajo e ndërgjegjes profesionale për këtë rast mjaft të rëndë.

Autoritetet në Kosovë kanë arrestuar 5 persona për përdhunimin e vajzës së mitur. Katër prej tyre do të mbahen në paraburgim për një muaj, ndërsa personi i pestë është duke u marrë në pyetje.

Ngjarja që dyshohet se ka ndodhur të shtunën në një park të qytetit, është denoncuar nga familja e viktimës.

Ngjarja nxiti reagimin e institucioneve dhe organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të cilat kanë venë alarmin për numrin e lartë të përdhunimeve dhe shkallës së ultë të ndëshkueshmërisë.

Grupe qytetarësh dhe përfaqësues të shoqërisë civile mbajtën të martën një protestë dhe kanë paralajmëruar protesta për të mërkurën duke kërkuar dënime për dhunuesit dhe legalizimin e përdorimit të mjeteve vetmbrojtëse nga gratë dhe vajzat.

You may also like