Kosova këtë javë e dorëzon aplikimin për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE – Shqip

by admin
Spread the love

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se këtë javë do të dorëzojnë aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kurti gjatë mbledhje së Qeverisë, tha se ka ardhur koha që “statusin potencial për kandidat ta kthejmë zyrtarisht në kandidat për anëtarësim”.

“Para një viti kemi bërë të ditur se aplikimin për anëtarësim do ta bëjmë këtë vit dhe sot në këtë mbledhje po ju njoftojmë se aplikimin në Bashkimin Evropian do ta dorëzojmë këtë javë. Bashkimi Evropian është vend i paqes dhe vendi ynë natyrisht se e ka vendin në këtë shtëpi”, ka thënë ai.

Kreu i ekzekutivit ka thënë se aplikimi i Kosovës është përgjigje ndaj Samitit të Selanikut të vitit 2003 dhe thirrjes nga Samiti i fundit në Tiranë për anëtarësim të përshpejtuar.

“Para një jave në Samitin e Tiranës në deklaratën e përbashkët, BE bëri thirrje për proces të përshpejtuar të anëtarësimit. Andaj aplikimi ynë është përgjigje ndaj premtimit që BE-ja i ka dhënë për anëtarësim rajonit nga Samiti i Selanikut në vitin 2003, por edhe për përgjigje direkte ndaj thirrjes në Samitin e Tiranës”, ka shtuar kryeministri Kurti.

Numri një i Qeverisë së Kosovës ka thënë se Kosova krahasuar me shtetet tjera kur kanë aplikuar është më e përgatitur. Kurti ka thënë se Kosova natyrshëm e ka vendin në BE.

“Krahasuar me shtetet e tjera kur kanë aplikuar, Kosova është më e përgatitur. Kosova e ka vendin natyrshëm në BE si vend paqedashës e demokratik”, ka thënë Kurti.

You may also like