Koreja e Jugut/ Burri plagos me thikë dhe përplas me makinë 14 persona në një qendër tregtare

by admin
Spread the love

Autoritetet në Korenë e Jugut njoftojnë se një burrë plagosi me thikë dhe përplasi me makinë 14 njerëz në një qendër tregtare, sulmi i dytë masiv me thikë brena disa javësh në atë vend.

Sipas autoriteteve të rendit, autori i sulmit filloi të godiste me thikë kalimtarët pasi doli nga makina që ai po ngiste në trotuar. Të paktën pesë individë u lënduan nga makina dhe nëntë të tjerë u qëlluan me thikë në sulmet që ndodhën në një lagje të mbushur me njerëz pranë një stacioni metroje në qytetin Seongnam.

Organet e rendit arrestuan në vendngjarje një të dyshuar rreth 20 vjeç i cili po merret në pyetje nga policia e cila nuk dha detaje të menjëhershme për të dyshuarin apo motivet pas sulmit.

Kreu i Agjencisë Kombëtare të Policisë e cilësoi sulmin si “praktikisht një akt terrorizmi”. Sipas një zyrtari, të paktën dy nga të plagosurit janë shtruar në spital në gjendje të rëndë. Organet e rendit po ekzamimojnë skenën e krimit. Në trotuarin e metrosë mund të shihej një makinë e bardhë e markës Kia me xhamin e parë të thyer dhe gomë të shpërthyer.

Gazeta e koreanojugore “Kyunghyang Shinmun” publikoi një video në faqen e saj të internetit, për të cilën tha se ishte dërguar nga një dëshmitar.

Në video shihet një burrë me syze dielli dhe triko të zezë me kapuç duke ngjitur shkallët lëvizëse të qendrës tregtare me një objekt në dorë.

Muajin e kaluar, një burrë goditi me thikë të paktën katër këmbësorë në një rrugë në kryeqytetin Seul, duke vrarë një person. Agjencia Kombëtare e Policisë zhvilloi të enjten një takim virtual me shefat e policisë rajonale për të diskutuar mënyrat për të trajtuar sulmet me thikë dhe sulme të tjera kundër objektivave të rastit.


Top Channel

You may also like