Konkluzionet e BE-së: “Zgjedhje në veri, sa më shpejt”

by admin
Spread the love

Liderët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian të premten miratuan serinë e tretë të konkluzioneve në mbyllje të samitit që u mbajt në Bruksel më 29 e 30 qershor.

Njëra nga pikat në dokument i kushtohet ekskluzivisht situatës aktuale në Kosovë dhe dialogut që kjo e fundit e bën me Serbinë, nën lehtësimin e ndërmjetësimin e BE-së, njofton KlanKosova.tv.

“Këshilli Evropian i dënon incidentet e fundit të dhunshme në veri të Kosovës dhe bën thirrje për deeskalim të menjëhershëm të situatës, bazuar në elementet kyçe tashmë të nënvizuara nga Bashkimi Evropian më 3 qershor 2023. Palët duhet të krijojnë kushtet për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës. Dështimi për të deeskaluar tensionet do të ketë pasoja negative”, thuhet në konkluzionet e KE-së.

“Është thelbësore që të vazhdojë dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja, i udhëhequr nga Përfaqësuesi i Lartë, dhe implementimi i marrëveshjes për normalizim dhe Aneksit për implementimin e saj. Kjo përfshin formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, përfundon konkluzionin Këshilli i Bashkimit Evropian, i publikuar në komunikatën e shfaqur prej Shërbimit për Politikë të Jashtme.

Pas samitit Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, thotë se me këto përfundime po tregohet përkushtimi i BE-së, për zgjidhjen e situatës.

“Ky në përgjithësi është pozicioni i të gjithëve. Mendoj se ekziston vullneti i mirë për stabilitet, paqe e bashkëpunim dhe krijimi i institucioneve në themel të zgjedhjeve demokratike. Natyrisht me parakushtin që banorët serbë në veri të Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje e jo që ata të bojkotojnë procesin, siç ishte rasti para dy muajve kur u mbajtën zgjedhjet”, theksoi Plenkoviq.

E sa i përket masave ndëshkuese që unioni do t’i aplikojë ndaj Kosovës, për shkak të mosveprimit për depërshkallëzim, Plenkoviq, tha se BE-ja duhet të bëjë “politikë të balancuar” e që sipas tij të mos krijohet bindja se vetëm njërës palë po i bëhet presion.

You may also like