Kongresi i ASH-së / Shkarkohet Taravari – Sela rikthehet si lider i ASH-së – Shqip

by admin
Spread the love

Në Kongresin e katërt të jashtëzakonshëm të ASH-së, është miratuar vendimi për shkarkimin e Kryetarit aktual, Arben Taravarit dhe në vend të tij është zgjedhur Ziadin Sela.

Duke iu drejtuar delegatëve të Kongresit, Sela tha se kjo që po ndodh në ASH, është një mësim, por se fati i shqiptarëve të Maqedonisë është ngushtë i lidhur me fatin e Aleancës.

“Aleanca për Shqiptarët ka qenë diga e cila I ka ndaluar të gjitha elementet e huaj, të cilët janë munduar që ta tjetërsojnë shqiptarin si identitet, si kulturë dhe si përfaqësi se ku përket. Ne jemi krenarë për kulturën dhe të kaluarën tonë, ne jemi shqiptarë dhe mburremi me të. Ne jemi shqiptarë, prandaj e mbajmë emrin me shumë krenari – Aleanca për Shqiptarët”, u shpreh Ziadin Sela.

Sela gjatë fjalimit në Kongres tha se prioriteti për ASH-në është kauza, e jo çështjet dytësore. Ai kishte edhe një mesazh për kundërshtarët e tij

“A e dini kush ikin dhe nuk përballen? Ato që s`i kanë argmentet. Ato që të kanë thënë fjalë dhe kanë shkelë fjalën. Ato prandaj nuk janë sot këtu, sepse nuk kanë fytyrë të paraqiten sepse janë të vetëdijshëm që zotimet që i kemi marrë njëri për tjetrin i kanë shkelur të gjitha me radhë”, tha Ziadin Sela.

Në konferencën për media pas Kongresit, Sela deklaroi se Taravari është shkarkuar me 591 vota delegatësh. Ai tha se kryetar legjitim dhe moral I partisë është vetë ai, ndërsa organet gjyqësore do të vendosin për legalitetin.

“Unë ju siguroj që do ta udhëheq ashtu sic e kam udhëhequr me ndershmëri, me transparencë me dinjitet, çdoherë I gatshëm të bisedoj dhe të bashkëbisedoj me anëtarësinë dhe t`i përballoj argumentet para njëri-tjetrit por natyrisht që ASH-së I takon që vendimet t`I marrë bashkërisht duke respektuar parimet e demokracisë së brendshme”, tha Sela.

Në pyetjen nëse ASH-ja e vetme do të paraqitet në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare dhe nëse do të ketë kandidatin e saj për president të vendit, Sela tha se vendimi do të merret në Kuvendin Qendror dhe Kryesinë Qendrore./tvkaln.mk

You may also like