Komuniteti turk në Maqedoninë e Veriut reagon për shkelje të të drejtave gjatë regjistrimit të popullsisë

by admin
Spread the love

Trupi Koordinues Kombëtar për Regjistrimin e Popullit Turk në Maqedoninë e Veriut ka reaguar për “shkelje të të drejtave të komunitetit turk në vend gjatë procesit të regjistrimit të popullsisë“.

Duke theksuar se e kanë ndjekur në mënyrë aktive procesin, ky grup e cilëson si të parakohshme deklaratën e drejtorit të Entit Shtetëror të Statistikës (ESHS), i cili e përshkroi procesin si të suksesshëm menjëherë pas përfundimit të tij.

Nga Trupi Koordinues Kombëtar për Regjistrimin e Popullit Turk thonë se procesi ka pasur dobësi, janë shkelur të drejtat e garantuara me Kushtetë dhe me Ligjin e Regjistrimit.

Nga fillimi i regjistrimit të popullsisë prej më 5 e deri më 21 shtator, aplikimi në formë elektronike në turqisht nuk funksionoi dhe pyetjet ishin në turqisht ndërsa përgjigjet në maqedonisht, kështu që duke mos pasur zgjidhje tjetër regjistrimi u krye në mënyrë të detyruar në gjuhën maqedonase/shqipe”, thuhet në reagim, ku shtohet se problemi u zgjidh vetëm një javë para përfundimit të regjistrimit.

Gjithashtu thuhet se në 29 rajone të regjistrimit struktura etnike e popullsisë nuk u mor parasysh gjatë përzgjedhjes së instruktorëve dhe regjistruesve rajonal.

“Pyetjet nuk janë bërë në gjuhën amtare. Qytetarët tanë të ndërgjegjshëm reaguan ndaj shumë komisioneve të regjistrimit, dhe nga ana tjetër ata na informuan neve për parregullsi të tilla. Sidoqoftë, këto janë vetëm disa nga ngjarjet për të cilat ne jemi në dijeni”, thuhet në reagim.

Gjithashtu thuhet se ka pasur përpjekje për manipulim dhe presion ndaj qytetarëve turq nga strukturat e financuara nga fondacione të huaja. Trupi Koordinues Kombëtar për Regjistrimin e Popullit Turk gjithashtu akuzon zyrtarët e ESHS-në për qëndrim jo transparent dhe jo korrekt me subjektet turke gjatë gjithë procesit, ndërsa vlerëson se ESHS nuk ka respektuar të drejtën e garantuar me kushtetutë për përfaqësim adekuat dhe të barabartë.

“Edhe pse regjistrimi është shpallur i përfunduar me sukses nga institucioni kompetent, ne ende kemi qytetarë të cilët nuk janë të mbuluar nga ky operacion kompleks statistikor“, thuhet në reagim, ku shtohet se për problemet janë informuar të gjitha institucionet kompetente, organet dhe përfaqësitë e misioneve të huaja.

Ne duam të theksojmë se rezultatet përfundimtare të regjistrimit nuk duhet të manipulohen për të treguar pamjen joreale të këtij operacioni statistikor dhe se ne nuk do të lejojmë që të drejtat tona të kufizohen për shkak të disa marrëveshjeve dhe spekulimeve politike“, thuhet në reagim.

Trupi Koordinues Kombëtar për Regjistrimin e Popullit Turk gjithashtu njofton se do të presë rezultatet fillestare që do të publikohen dhe pastaj do të informojmë publikun për qëndrimet përfundimtare. Në këtë trup koordinues bëjnë pjesë të gjitha organizatat joqeveritare turke, të gjitha subjektet politike nga komuniteti turk, intelektualë turq, profesorë universitar, si dhe figura të tjera me ndikim nga komuniteti turk.

Regjistrimi i popullsisë, amvisërive dhe banesave në Maqedoninë e Veriut është zhvilluar nga 5 deri më 30 shtator. Kreu i ESHS-së, Apostoll Simovski, ka bërë të ditur se u regjistruan gjithsej 1.832.696 persona, 568.175 amvisëri dhe 837.255 banesa.

Lajme interesante

You may also like