KOMENT – Mbrojtja ajrore e Ukrainës, konflikti Iran-Izrael në krye të axhendës së takimit të G7

by admin
Spread the love

KAPRI, 18 prill /ATSH-DPA/- Ministrat e Jashtëm të G7 u mblodhën sot në ishullin italian, Kapri mes rreziqeve në rritje të një konflikti më të gjerë rajonal në Lindjen e Mesme dhe thirrjeve për mbështetje të zgjeruar për Ukrainën.

Sanksionet e mëtejshme që shënjestrojnë Iranin pas sulmeve të tij ndaj Izraelit ishin ndër çështjet e diskutuara nga ministrat, si dhe përpjekjet për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për të bindur kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të tregohet i vetëpërmbajtur në përgjgjen ndaj Teheranit.

Ndihma ushtarake shtesë për Ukrainën, e cila po lufton kundër pushtimit rus në shkallë të plotë për më shumë se dy vjet, pritet të jetë gjithashtu një temë kryesore në takimin dyditor të G7 në Kapri.

Mikpritësi i takimit, ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, siguroi Izraelin për mbështetjen e tij në emër të të gjitha vendeve të G7.

“Ne jemi miq të Izraelit. Ne mbështesim Izraelin”, tha Tajani.

G7 përfshin gjithashtu SHBA-në, Kanadanë, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën dhe Japoninë. Në takime merr pjesë edhe Bashkimi Evropian.

Në të njëjtën kohë, ai u bëri thirrje të dyja palëve të shmangin përshkallëzimin e konfliktit.

Dyshohet se një kundërsulm i madh izraelit mund të çojë në një konflikt në të gjithë rajonin, përtej ofensivës së vazhdueshme ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës që ka vazhduar për gjashtë muaj.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg dhe ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba gjithashtu iu bashkuan takimit sot pasdite.

Mbështetje më e madhe e mbrojtjes ajrore për Ukrainën pritet të diskutohet në tryezë pas sulmeve masive ajrore ruse në Ukrainë.

“Nevojat e Ukrainës në këtë front janë shumë urgjente. Në të njëjtën kohë, unë shoh disa shenja të rëndësishme inkurajuese kur bëhet fjalë për aleatët e NATO-s që rrisin mbështetjen për Ukrainën”, tha Stoltenberg.

Kuleba u bëri thirrje gjithashtu ligjvënësve amerikanë që të miratojnë me shpejtësi paketën shtesë të ndihmës për Ukrainën, e cila është bllokuar nga opozita republikane prej disa muajsh.

“Në këtë moment, është urgjente që të gjithë miqtë dhe mbështetësit e Ukrainës të rrisin përpjekjet e tyre për t’i ofruar … Ukrainës atë që i duhet për të vazhduar të mbrohet në mënyrë efektive kundër këtij agresioni rus”, tha sot sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken në një deklaratë të enjten.

Blinken shprehu besimin se Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA-së do të votonte për miratimin e paketës prej 61 miliardë dollarësh të shtunën.

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, gjithashtu bëri thirrje për veprime të shpejta për t’i siguruar Ukrainës mbrojtje ajrore, duke shtuar se ndihma nevojitej urgjentisht për të parandaluar synimin e Rusiaë për të shkatërruar infrastrukturën e energjisë elektrike të Ukrainës.

Borrell tha se vendet e BE-së nuk duhet të mbështeten vetëm te SHBA-ja, por të demonstrojnë forcën e tyre dhe të marrin përgjegjësinë për armatosjen e drejtpërdrejtë të Ukrainës.

Borrell kërkoi gjithashtu zbatimin e rreptë të sanksioneve ndaj Iranit për dërgimin e dronëve në Rusi.

Forcat ruse kanë përdorur gjerësisht dronët e prodhuar nga Irani në sulmet e tyre ndaj qyteteve të Ukrainës.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like