KOMENT – Krerët e Evropës Perëndimore dënojnë sulmin e Iranit

by admin
Spread the love

BERLIN, 14 prill /ATSH-DPA/- Udhëheqësit e Evropës Perëndimore dënuan ashpër sulmin e drejtpërdrejtë të Iranit ndaj Izraelit dje në mbrëmje, ndërsa paralajmëruan për një përshkallëzim të konfliktit të vazhdueshëm në Lindjen e Mesme.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se sulmi kërcënonte të destabilizonte rajonin.

“Franca po punon së bashku me partnerët e saj për të shmangur përshkallëzimin dhe bën thirrje për vetëpërmbajtje”, shkroi Macron në X.

Macron shprehu solidaritetin me popullin e Izraelit dhe theksoi rëndësinë e sigurisë izraelite për Francën.

Sipas zëdhënësit të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), Daniel Hagari, Franca kontribuoi në parandalimin e sulmeve ajrore iraniane duke ndihmuar në monitorimin e hapësirës ajrore.

“Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për destabilizimin e mëtejshëm në rajon dhe po vazhdojmë të punojmë për ta parandaluar këtë”, tha kryeministrja italiane, Giorgia Meloni në X, dikur në Twitter.

Italia, e cila aktualisht kryeson G7, ka organizuar një video-konferencë të liderëve të G7 sot pasdite.

Kancelari gjerman Olaf Scholz, i cili sapo ka mbërritur në Kinë për një vizitë treditore, dënoi sulmet ajrore iraniane kundër Izraelit me termat më të ashpër të mundshëm.

“Irani po rrezikon një konflikt rajonal me këtë sulm të papërgjegjshëm dhe të pajustifikueshëm”, tha zëdhënësi i qeverisë Steffen Hebestreit pas mbërritjes së kancelarit në metropolin ekonomik të Chongqing.

“Në këtë moment të vështirë, Gjermania po qëndron ngushtë në krah të Izraelit”, tha ai.

Kryeministri holandez Mark Rutte e përshkroi situatën në Lindjen e Mesme si thellësisht shqetësuese dhe shprehu gjithashtu shqetësime për një përshkallëzim të mundshëm.

Kryeministri belg, Alexander De Croo bëri thirrje për vetëpërmbajtje nga të gjitha palët. “Irani është një sponsor i njohur i terrorizmit shtetëror”, shkroi De Croo në X.

Ai bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në rajon. Belgjika ka qenë gjithnjë e më kritike ndaj politikës izraelite në Rripin e Gazës.

Kryeministri irlandez, Simon Harris e quajti sulmin iranian “të pamatur” dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin përshkallëzimin.

Irlanda ka qenë ndër kritiket më të ashpra të operacionit ushtarak izraelit në Rripin e Gazës.

Ministri i Jashtëm irlandez, Micheál Martin, ka bërë thirrje për një zgjidhje me dy shtete dhe ka treguar se Irlanda po përgatitet të njohë një shtet palestinez, një veprim që është refuzuar nga udhëheqësit izraelitë. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like