Kombëtarja U-17, flasin talenti i Sampdorias dhe i Teutës

by admin
Spread the love

Kombëtarja U-17 ka nisur prej ditës së enjte grumbullimin dhe stërvitjet në kuadër të dy sfidave miqësore ndaj bashkëmoshatarëve të Kosovës. Ekipi i drejtuar nga trajneri Ervin Bulku, përveç stërvitjeve ditore, ka zhvilluar ditën e djeshme edhe një takim miqësor ndaj ekipit Kombëtar U-16, duke matur kështu forcat në prag të ndeshjeve me Kosovën, ku ka bindur me fitoren 4-1.

Dy nga lojtarët e skuadrës së Ervin Bulkut, Adi Kurti dhe Aljon Dami kanë folur për fshf.org, duke treguar se si e kanë gjetur skuadrën kuqezi pas thuajse dy muajsh.

Kurti, i cili mban edhe shiritin e kapitenit në Kombëtaren U-17 shprehet se ky ekip ka në përbërje mjaft elemente cilësore, një shtysë mjaft e mirë për të fituar miqësoret dhe për të shkuar sa më shpejt në Europian. Më tej djaloshi kuqezi, i cili sapo ka firmosur me ekipin e moshave të Sampdoria-s në Itali, duke u transferuar nga skuadra e Pepës tregon edhe për firmën me italianët dhe ëndrrat për të ardhmen.

ATMOSFERA NË GRUPIN – “Ndihem shumë i lumtur për atmosferën që po krijon grupi. Rrimë të gjithë bashkë, i kemi afruar të gjithë çunat e rinj. Kemi një grup të mirë dhe pse jo mos të bëjmë edhe këto ndeshje miqësore dhe të shkojmë sa më parë në Europian.”

KONTRATA ME SKUADRËN E RE NË ITALI – “Kam firmosur një kontratë tre vjeçare te Sampdoria. Ndihem shumë i lumtur pas një pune të palodhur një vjeçare me ish-ekipin tim. Tani jam pjesë e ekipit të Sampdoria U-19 dhe pres sa më lart dhe pse jo ekipin e parë.”

A KA CILËSI KY GRUP? – “Kemi shumë elementë cilësorë në grup dhe mendoj që do shkojmë shumë larg si grup sepse e njohim njëri-tjetrin dhe jemi si një familje.”

ËNDRRAT PËR TË ARDHMEN – “Ëndrra ime është të luaj në Premier League me ekipet më të forta në botë dhe kapiten në Kombëtaren A.”

Edhe Aljon Dami, lojtar i skuadrës së Teutës flet për grumbullimin me ekipin kombëtar U-17 dhe përgatitjet për Kosovën, ndërsa thekson se skuadra duhet të punojë në grup për të përballuar kundërshtarët.

PËRGATITJET PËR KOSOVËN – “Stërvitja ka shkuar shumë mirë deri më tani. Grupi është pothuajse i kompletuar. Me çunat jemi njohur më përpara. Çunat e rinj që kanë ardhur nga jashtë jemi munduar t’i afrojmë sa më shumë.”

MIQËSORET NDAJ KOSOVËS DHE EUROPIANI – “Besoj se kjo skuadër ka për të bërë shumë mirë edhe në ndeshjet me Kosovën, por edhe në Europian. Cilësitë janë të mira po të punojmë në grup të gjithë bashkë, për të përballuar çdo lloj skuadre.”

ËNDRRA IME? “Është të luaj ekipin e parë A dhe një ekip dinjitoz.”

Foto: fshf.org

You may also like