Koalicioni Qeveritar inicioi manifest për negociatat me BE-në – Shqip

by admin
Spread the love

“ËSHTË KOHA PËR UNIFIKIMIN E GJITHË SUBJEKTEVE POLITIKE DHE APOLITIKE”

Koalicioni qeveritar ka publikuar sot një manifest në lidhje me negociatat për anëtarësimin e vendit në BE, njofton KlanM.

Në manifestin e publikuar, ndër tjerash thuhet se, zhvillimi i negociatave për anëtarësim të plotë të vendit në BE, paraqet synim të përbashkët strategjik të shtetit dhe të të gjithë qytetarëve të tij dhe për këtë, partitë nënshkruese të manifestit vlerësojnë se, është interes thelbësor shtetëror përfundimi sa më cilësor i mundshëm i procesit negociator dhe rrjedhimisht anëtarësimi i plotë sa më i shpejtë në Bashkimin Evropian.

“Duke u nisur nga synimi i shprehur që Maqedonia e Veriut ta arrijë gatishmërinë për anëtarësim të plotë në vitin 2030, Ne, partitë politike të përfaqësuara në Kuvend, me veprimet tona do të zotohemi që negociatat e anëtarësimit të përfundojnë në kushte sa më të favorshme të mundshme dhe brenda afatit sa më të shkurtër të mundshëm kohor, plotësisht të vetëdijshëm për detyrimet që dalin nga anëtarësimi në BE. Qëllimi politik i Maqedonisë së Veriut është të ruajë pandashmërinë, integritetin dhe tërësinë e territorit shtetëror, si shtet anëtar në BE, si dhe vazhdimësinë, mbrojtjen e identiteteve,  traditës, gjuhëve dhe vlerave shoqërore të qytetarëve të saj”.

Më tej thuhet se, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e obligon Qeverinë që përmes delegacionit shtetëror për negociata me BE-në t’i përmbahet në vazhdimësi përcaktimit për respektim të pakushtëzuar të veçorive gjuhësore, identitare, historike dhe kulturore të popullit maqedonas, si elemente që nuk negociohen me Bashkimin Evropian.

“Gjatë negociatave për anëtarësim deri në përfundimin e tyre me nënshkrimin e Marrëveshjes për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE dhe pas pranimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut si anëtare e plotëfuqishme në BE, Qeveria nuk do të pajtohet të bisedojë për një zgjidhje tjetër për gjuhën maqedonase nga ajo që theksohet në kornizën negociatore. Me pranimin si anëtare me të drejta të plota në BE të Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjuha maqedonase do të bëhet një nga gjuhët zyrtare të BE-së pa asnjë shpjegim, shtesë apo fusnotë”.

Nënshkruese të këtij manifesti, sic njofton KlanM, janë  partitë tjera që janë pjesë e koalicionit qeverisës, Lidhja Social demokrate e Maqedonisë (LSDM), Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Aleanca për Shqiptarët (ASH), Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), Partia e re social-demokrate (NSDP), Partia Liberale (PL), Partia Lëvizja e Turqve (THP), Partia Demokratike e Turqve në Maqedoni (TDP), Rindërtimi Demokratik I Maqedonisë (DOM), VMRO-Partia Popullore (VMRO-NP), Partia e Pensionistëve dhe Partia e Serbëve. /KlanMacedonia/

You may also like