Kina zbulon planet për të nxitur kërkesën për makina, mund të zbusë taksat për EV

by admin
Spread the love

Kina njoftoi sot një seri masash të reja për të nxitur kërkesën për automobila nga konsumatorët, duke deklaruar se do të marrë në konsideratë zgjatjen e lehtësimit tatimor për automjetet elektrike dhe duke theksuar planet për ndërtimin e një numri më të madh stacionesh rikarikimi, si dhe nxitjen e tarifave më të ulëta.

Planet, e njoftuara nga Ministria e Tregtisë në një deklaratë të përbashkët me 16 departamente të tjera, rritën aksionet e shtëpive automobilistike kineze, Geely (0175.HK) +6% dhe Great Wall Motor (601633.SS) +4%.

Tregu më i madh automobilistik në botë është goditur fort në muajt e fundit nga masat e ashpra të kufizimeve në Shangai dhe në pjesë të tjera të vendit për të frenuar përhapjen e variantit të koronavirusit, Omicron.

Si pjesë e përpjekjeve të reja, muajin e kaluar, autoritetet përgjysmuan taksën e blerjes së një automjeti në 5% për makinat me çmim më të ulët se 300.000 juanë (45.000 dollarë) me motor 2,0 litër ose më të vogël.

Blerësve të disa automjeteve tërësisht ose pjesërisht elektrike nuk u është dashur të paguajnë taksën e blerjes që nga viti 2014. Ministria deklaroi se mund ta braktisë planin për ta rikthyer taksën vitin e ardhshëm, duke konfirmuar një qëndrim të parë muajin e kaluar nga kabineti i vendit.

Përgjysmimi i taksës ka ndihmuar në rimëkëmbjen e tregut – shitjet e automjeteve për pasagjerë në qershor u rritën me 22% krahasuar me një vit më parë, duke arritur në 1.9 milionë njësi, sipas të dhënave paraprake të një shoqate automobilash.

Shitjet e automjeteve elektrike u rritën me 130% në 546.000 njësi muajin e kaluar, duke përfaqësuar thuajse 30% të shitjeve totale të automjeteve. Shitjet e liderit të tregut BYD Co Ltd (002594.SZ) u më shumë se trefishuan në 134.000 njësi.

Ministria ndër të tjera ka deklaruar se do të nxisë zëvendësimin e automjeteve më të vjetra, do të rrisë mbështetjen e kredisë për blerjet e makinave dhe do të heqë pengesat për shitjen e makinave të përdorura nëpër provinca të ndryshme.

/ Reuters


Monitor sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

You may also like